Shpaloset performanca kundër ngacmimeve seksuale (VIDEO)

6 Tetor, 2017 - 3:34 pm

Nën moton “Mos Hesht“, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis në bashkëpunim me Kvinna til Kvina ka shpalosur performancën kundër ngacmimeve seksuale në rrugë. “Nuk e kom emrin loçkë”, “Trupi jem e drejta jem”, “Raporto mos hesht“, “Po më Pengon”, “Po me jep stres”, “Mos fishkëllo”, ishin vetëm disa nga shprehjet që u dëgjuan gjatë performancës artistike kundër ngacmimeve seksuale në rrugë, e cila u prezantua para të pranishmëve në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Jeta Berisha, koordinatore në Qendrën “Artpolis”, tha se përmes kësaj perfomance artistike janë munduar të përçojnë mesazh kundër ngacmimeve seksuale në hapësira të ndryshme. Ajo tha se përmes artit dhe lëvizjeve trupore të aktoreve janë munduar të transmetojnë mesazh tek shoqëria kosovare për ngacmimet në rrugë.

“Këtë herë jemi munduar me përçuar një mesazh tek shoqëria jonë për ngacmime seksuale. E dimë të gjithë se është një fenomen që mbizotëron në çdo rrugë, jo vetëm në rrugë në ambiente publike, po ashtu edhe në ambiente private, në institucione dhe në çdo vend do me thënë pa marrë parasysh ku”, tha Berisha. Ajo tutje u shpreh se në Kosovë ende nuk e dinë se çka nënkupton fjala ngacmim seksual dhe nuk dinë të bëjnë dallimin në mes ngacmimit seksuale dhe ‘flirtit’.

Ndërkaq, Linnea Claeson nga Kvinna Till Kvinna, aktiviste nga Suedia, tha se performanca e sotme ishte e bukur dhe mesazhi kundër dhunës seksuale ishte shumë i qartë. Ajo po ashtu tha se në Suedi lufton për të njëjtën kauzë me anë të rrjeteve sociale.

“Ishte një performancë e fuqishme dhe e bukur, mendoj se ishte perfekte. Dhe ndjej se mesazhi për atë se si ndihesh kur ndihesh e kapur nga ngacmimi seksual dhe dhuna seksuale ishte shumë i çartë. Pabarazia në botë duhet të ndryshojë. Edhe unë si këto gra, luftoj për të njëjtat kauza në Suedi . Luftoj shumë për to në rrjetet sociale. E kam një llogari në Instagram e cila quhet ‘Assholes Online’, ku unë shkruaj për ngacmimin seksual të cilin unë personalisht e përjetoj online, në rrugë dhe në jetën time të përditshme”, u shpreh ajo duke thënë tutje se është shumë e rëndësishme që ka shumë njerëz që luftojnë për këto kauza, për të qenë të lirë dhe ftoj të gjithë burrat që t’i bashkëngjitën këtyre aktiviteteve.

Aktorja e performancës “Mos Hesht”, Daniela Markaj tha se përmes kësaj shfaqje artistike janë munduar t’i paraqesin ngacmimet seksuale në rrugë, ngacmime këto që femrat nuk i bëjnë të ndihen rehat. Sipas saj kjo perfromancë ka pasur synim t’i informojë gratë se ato mund të raportojnë dhe të reagojnë kundër këtyre ngacmimeve”.

Përmes performancës jemi munduar me i paraqitur ngacmimet seksuale që ndodhin gjatë rrugës, pavarësisht gjinisë, mirëpo na po e përcaktojmë me gratë që ndodhin ,edhe që i bënë me u ndier jo rehat, edhe që me i bë moshataret tona, gratë në përgjithësi me kuptuar që kanë të drejtë me lajmëruar rastin edhe me reaguar kundër ngacmimeve”, tha Markaj.

Sipas saj përgatitjet për këtë performancë artistike kanë zgjatur një javë në të cilën janë përfshirë dy aktore dhe disa aktiviste të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.

Ndryshe, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis merret me raportimin e ngacmimeve seksuale dhe i lufton ato përmes perfomancave teatrale, artistike dhe instilacioneve të ndryshme. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme