“Zgjimi i Pranverës” nga Zana Hoxha rikthehet me një turne prezantimesh në Kosovë

28 Maj, 2021 - 10:27 am

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet prezanton shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, më 28 Maj, 29 Maj dhe 31 Maj, në ora 19:30, përcjellë KultPlus.

Shfaqja “Zgjimi i Pranverës”, fituese e çmimit Grand Prix në Skupi Festival 2020 edicioni 14 si dhe fituese e shpërblimit “Aktorja më e mirë joprotagoniste” në Festivalin mbarëkombëtar MOISIU ON Tiranë, rikthehet me një turne prezantimesh në Kosovë këtë muaj. Kjo shfaqje e krijuar dhe prezantuar gjatë pandemisë është një bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.

· Të Premten më 28 Maj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga ora 19:30.

· Të Shtunën më 29 Maj në Teatrin e Qytetit të Gjilanit nga ora 19:30.

· Të Hënën më 31 Maj në Gjakovë në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” me fillim nga ora 19:30.

Me regji të Zana Hoxhës kryevepra e autorit Frank Ëedekind “Zgjimi i Pranverës” është adaptuar në Kosovën e viteve të ’90-ta. Nevoja e të rinjve për të kuptuar dhe për t’u kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjtë tanë në vitet e ’90-ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati, përderisa solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët si: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Shpëtim Kastrati, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti dhe Armend Ballazhi. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme