Shuhet themeluesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

17 Janar, 2019 - 9:58 am

U nda nga Jeta Tom Nikolla një nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Tom Nikolla është një prej këngëtarëve shumë i dashur për publikun dhe me kontribut të rëndësishëm për futjen e këngës me çifteli në hullinë e muzikës qytetare shqiptare bashkëkohëse. Që në moshë të re spikati dhe fitoi çmim ndërkombëtar për këngën folklorike në vitin 1957.

Më vonë ishte një nga themeluesit e Ansamblit Shtetëror te Këngëve dhe Valleve Popullore ku kontribuoj deri ne moshën e pensionit dhe në vazhdimësi. Ishte njohës i folklorit dhe i muzikës popullore, prandaj fjala e tij në diskutime për këtë temë dëgjohej me interes. Pati kolegë dhe këndoi së bashku me divat e këngës popullore si Drita Papajani, Luçije Miloti, Naile Hoxha.

Toma me artin e tij ka korrur duartrokitje në Shqipëri dhe në disa vende të botës kur përkrah Ibrahim Tukiçit, Fitnete Rexhës, Vaçe Zelës, Xhevdet Hafizit e tjerë dhanë koncerte duke përfaqësuar muzikën dhe folklorin tonë në botë. Nuk e harroi asnjëherë rapsodinë, por e zhvilloi atë duke u bërë një nga përfaqësuesit më dinjitoz dhe i dashur me këngë patriotike që u rimorën dhe janë në repertorin e sotëm të shumë rapsodëve e grupeve muzikore në Shqipëri dhe Kosovë./Jaho Brahaj/ javanews/ KultPlus.com

Të ngjajshme