“Si nëna si e bija” në hapat e gazetares së njohur kroate

4 Dhjetor, 2018 - 4:45 pm

Gili Hoxhaj

Në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB po vazhdon prezantimi i shfaqjeve nga vendet rajonale. Mbrëmjen e kaluar në skenën e teatrit erdhi shfaqja kroate “Si nëna si e bija” me regji të Jasmin Novljaković. Shfaqja me tekst të Frane Marija Vrankoviq, përmes dialogut të dy aktoreve në skenë servoi para publikut të festivalit, jetën e gazetares së njohur kroate Marija Juric-Zagorka, mirëpo duke shkuar përtej kësaj, duke prekur në marrëdhënien mes nënës dhe bijës, mes përballjes së dy mentaliteteve që nuk arrijnë të përputhen, shkruan KultPlus.

Si një nga gazetaret e shkrimtaret e para në Kroaci, Marija Juric-Zagorka nuk e kishte pasur të lehtë rrugëtimin e saj. Dy shekuj para inskenimit të kësaj shfaqje ky dialog në disa raste mund të përballet edhe me realitetin e sotëm. E bija ndodhet përballë ëndrrave të saj të ushqyera me vite për t’u bërë gazetare. Nëna e saj në anën tjetër nuk pajtohet me këtë vendim dhe martesën e sheh si të vetmen dritë në jetën e saj. Vepra si e tillë ecën nëpër temat e martesës, abuzimit familjar, diskriminimit dhe dashurisë.

Aktorja Mia Krajcar ishte ajo që solli para publikut personalitetin e Marija Jurić – Zagorka derisa përballej me mamanë e saj Josipa Jurić rođ. Domin, që erdhi në rolin e aktores Mirta Zečević .

Mia Krajcar po kthehet për herë të dytë në Prishtinë ndërsa vitin e kaluar në po këtë festival kishte rrëmbyer çmimin kryesor. Ajo tha se i do shumë njerëzit e Prishtinës dhe kjo nuk lidhet vetëm me faktin që ajo këtu ka marrë një çmim. Krajcar tha se u ndje tejet e lumtur kur ka pranuar ftesën për të marr pjesë përsëri në këtë festival veçmas me një shfaqje shumë të mirë siç është “Si nëna si e bija”.

“Ishte e mrekullueshme që e sollëm sonte këtë shfaqje në Prishtinë pasi që është krejtësisht ndryshe nga ajo e vitit të kaluar. Me të vërtetë është kënaqësi të jem në këtë festival dhe shpresoj që do të jem pjesë e këtij festivali edhe për shumë vite”, tha Krajcar për KultPlus.

Krajcar thotë se ka qenë pikërisht ideja e saj që në këtë shfaqje të sjellin copëza biografie nga jeta e Marija Jurić Zagorka pasi që ajo ka qenë një nga personalitetet më të ndritura kroate por që nuk njihet edhe shumë.

“Të gjithë dinë për novelat e saj por jo edhe për jetën e saj. Të gjithë e dinë që ajo ka qenë një gazetare, shkrimtare dhe aktiviste por askush nuk e di se si ka filluar. Shpesh mes shfaqjes mund të harrosh që ajo i është dedikuar një personi të veçantë dhe e sheh si një marrëdhënie jo të mirë mes nënës dhe bijës”, shpjegoi tutje aktorja Krajcar.

Ndryshe nga Mia Krajcar, për Mirtea Zečević kjo ka qenë ardhja e parë në Kosovë.

“Jam e mahnitur se sa e bukur është Prishtina dhe jam e lumtur të shoh që një universitet këtu ka një teatër si ky”, tha ndër të tjera ajo.

Mirta Zečević u shpreh për KultPlus se shfaqja pikërisht prek në mentalitetin ballkanas dhe tregon që gjërat po ndryshojnë në hapa shumë të ngadaltë.

“Marija Jurić Zagorka ka jetuar në Kroaci deri në vitin 1957 por kurrë nuk është pranuar nga komuniteti i burrave atje”, u shpreh ajo.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Prishtinë do të vazhdojë edhe sonte me shfaqjen “Shërbëtoret”. Shfaqja ”Shërbëtoret” me ekipin nga Shqipëria, do të luhet sonte në orën 19:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme