Simbolika e thellë brenda komedisë muzikore të Zymberit, shpaloset realiteti i shoqërisë kosovare

10 Maj, 2021 - 10:47 am

Era Berisha

Përgjatë 61 minutave dhe 37 sekondave të cilat shpalosin një gërshetim inspirimi nga “Këngëtarja tullace” e Eugene Ionescos dhe nga tregimi  “Elefanti zhduket” i Haruki Murakamit, me ç’rast ngjallën historinë e Bob Vatsonit, një magjistar i cili fshehtazi vë një hije mbi realitetin e shoqërisë tonë, shkruan KultPlus.

Komedia muzikore “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht” rrëfen historinë e ri përsëritshme të Bob Vatson, magjistarit, të cilit Ministria e Punëve të Kota ia ngarkon një detyrë fisnike. Ai përgjatë shfaqjes e kryen me ‘nder’ detyrën e tij patriotike duke shpëtuar qytetin nga kaosi dhe anarkia.

Përgjatë këtij shpëtimi, nuk mungojnë dëmet e ‘vogla’ materiale të cilat tashmë janë të njohura për publikun, e të cilat mbeten ‘gjëra’ të parëndësishme që ndodhin por që faji nuk vihet mbi Bob Vatsonin, për të cilin gjatë tërë kohës flitet skenikisht me kode dhe shifra të cilat portretizojnë shoqërinë kosovare.

Në skenën e teatrit Dodona kishin zënë vend dritat e kuqe dhe të kaltërta të cilat vinin në pah elementin kryesor të skenografisë siç është edhe koncepti i shkronjave. Shkronjat të cilat herë formonin hamendësime të ndryshme, në fund gjetën fundin e tyre në emrin ‘Amerikë’ duke ndërtuar kështu fjalët kyçe të cilat përsëriteshin disa herë në asociacione dhe forma të cilat gjatë zhvillimit ato merrnin kuptimin e tyre.

Kështu krejt në fund, reagimet e publikut qofshin ato buzëqeshjet apo të qeshura të ndjera, nuk munguan përgjatë shfaqjes e cila shfaqi një gjallërim nga aktorët të cilët arritën një punë mjaft të mrekullueshme duke pasur parasysh inkuadrimin e instrumenteve muzikore që gjatë tërë kohës përcollën melodi dhe tinguj të interpretuara mahnitshëm.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth idesë për të realizuar këtë shfaqje, për KultPlus foli regjisori Erson Zymberi.

“Ideja për të realizuar shfaqjen ka qenë ide e imja e kamotshme që një tekst të autorit Ionescos, në skenën e famshme të çiftit Smith, ku ata përsërisin vazhdimisht idenë e Bob Vatsonit, unë morra ato dy faqe dhe ndërtova një ide me ish profesorin Bekim Lumi, për të cilin edhe ia kushtoj këtë shfaqje me të gjithë qenien time dhe me gjithë shpirtin tim sepse kjo është një meritë e tij”, thotë Zymberi.

Sipas tij, kjo ide është konkretizuar më pastaj nga njëri ndër dramaturgët më të mëdhenj që Kosova ka, Jeton Neziraj, me të cilën janë shqyrtuar edhe në një tregim tjetër fantastik të Haruk Murakamit. Prandaj, shfaqja e inspiruar në këto dy vepra ka arritur të formësohet pas shumë bisedimeve të gjata, ndërtimeve dhe motiveve të ideve të cilat regjisori ka dashur ti ngjallë.

“Provat kanë zgjatur 45 ditë me një intensivitet të lartë por që procesi është ndërprerë njëherë për shkak të virusit ku njëri nga aktorët ka qenë i prekur me virus dhe është dashur që provat të ndërprehen dhe të rifillojnë përsëri”, tregon Zymberi për KultPlus.

Kurse dramaturgu që ka arritur ti transkeptojë idetë e regjisorit në skenë, Jeton Neziraj për KultPlus ka shpalosur se si ai është bashkangjitur këtij projekti.

“Ersoni më ka ftuar t’i bashkangjitem projektit si dramaturg, pas bashkëpunimit të suksesshëm që patëm me shfaqjen ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’. Ideja fillestare ishte që shfaqja të punohej mbi një skenë të dramës ‘Këngëtarja tullace’ e Joneskos, por, procesi na dërgoi në ‘ujëra të tjerë’”, tregon Neziraj.

Sipas tij, regjisori punon jashtëzakonisht mirë dhe qasjet e tija regjisoriale janë shumë autoriale, me zgjidhje skenike të qarta dhe origjinale. Dhe kjo është parë edhe mbrëmë në shfaqje, ku dramaturgu ka dalur me përshtypje shumë të mira.

Gjithashtu, për të folur rreth pjesëmarrjes së tij në rolin e një magjistari të shpikur që thirret për të rregulluar diçka që ai nuk e rregullon, për KultPlus foli Ernest Zymberi.

“Ka kohë që nuk kisha punuar me të dhe më kishte marrë malli për ta parë atë më shpesh sepse profesionet tona edhe pse të njëjta, na ndajnë shpesh nëpër projekte. Por, është gjithmonë kënaqësi për të punuar me të i cili ka një karizëm dhe koncept pak më të veçantë duke mos hasur në monotonitet”, tregon Zymberi.

Sipas tij, edhe pse ata kanë punuar me një kompozitore të jashtëzakonshme që ka përvojë në teatër në Ballkan, për aktorin ka qenë e vështirë inkuadrimi i instrumenteve muzikore sepse ai shprehet se nuk ka ndonjë talent kush e di se çka, por që ai i ka shërbyer shfaqjes me të gjitha instrumentet.

Shfaqja ‘’Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht’’, është mbështetur nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme