‘SkupiFestival’ sjellë në edicionin e 11-të, shtatë shfaqje nga vende të ndryshme

4 Tetor, 2017 - 10:40 am

Më 12 tetor në Shkup nis edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili sivjet nis rrugëtimin e njëmbëdhjetë përgjatë tetë ditëve sa do të zgjasë do të sjellë shfaqje nga Shqipëria, Rusia, Kosova, Izraeli, Serbia, Irani dhe Bulgaria. Festivali nisë më 12 tetor dhe mbahet deri më 18 tetor në Qendrën Kulturore për të Rinj në Shkup.

Në vijim po i sjellim shfaqjet që do të prezantohen në festival bashkë me sinopsiset e tyre duke nisë nga shfaqja e cila hapë ‘SkupiFestival’:

Më 12 tetor me fillim nga ora 20:00 në Suli An – Çarshia e Vjetër prezantohet Teatri “Andon Zako Cajupi” nga Korca-Shqipëri. “Shtëpia e Bernarda Albës” nga autori Federiko Garcia Lorka është një ‘Spektakël Eksterier’. Jemi përpjekur që të gjithë përrallën ta përshtatim me vendin e veprimit, ndërkohë që publiku bëhet bashkëvuajtës me personazhet, ndihmuar kjo edhe nga vetë vendi i veprimit. Si rrallë herë ai në këtë rast do të ketë mundësinë për të parë një shfaqje në një shtëpi reale gjegjësisht në ‘Shtëpinë e Bernardës’.

13 tetori në QKR (MKC)-Salla Frosina me fillim nga ora 20:00 do të vjen teatri “U Mosdta” nga Premi-Rusi. “Bisha”, është shfaqja që u bë legjendare sepse shkaktoi bujë të madhe, duke e bërë këtë teatër mjaftë të popullarizuar në Rusi dhe jashtë saj. Aksioni i shfaqjes zhvillohet në rrënojat e civilizimit të zhdukur. Babai, Nëna dhe Vajza e tyre, janë të vetmit që kanë mbetur gjallë në Tokë. Ata enden në shkretëtirë, të djegur nga katastrofa atomike, në kërkim të njerëzve tjerë për ta shpëtuar jetën e Universit. Pos atmosferës së ftohtë të jetës pas Armagedonit botëror, shfaqja lë përshtypje të dritës dhe katarsës.

Më 14 tetor në orën 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina do të ngjitët Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” nga Gjakova-Kosovë. “Martir” drama kontraverse nga autori Marous Von Mayenburg flet për jetën e një djali të ri Benjamin Sinclair që përqafon fundamentalizmin e krishterë , duke i turbulluar jetët e të rriturve të pafuqishëm rreth tij. Si një bombë me sahat,tregimi i Benjamin-it është shqetësueses për publikun. Por, njëkohësisht edhe tregim sfidues dhe tërheqës,jo vetëm për audiencën e re, dhe reflekton më së miri konfuzionin e botes sot,ku presioni e të qenit politikisht korrekt,tolerant ndaj paragjykimeve ndeshet me debatin e pafund rreth, religjionit,dogmës dhe shkencës. Drama e Mayenburg-ut nuk është vetëm një thumbim cinik për fobinë ndaj radikalizmit fetar në botën perëndimore. Drama në mënyrë groteske shpalosë frikën universale nga “të tjerët”, si një konstante e pavetëdijshme të shoqërive që supozohen të jenë tolerante.

15 tetor me fillim nga ora 20:00 poashtu në Sallën Frosina do të prezantohet ‘Artist Solo’ nga Tel Aviv, Izrael. “Tymos si një burrë” është një monodramë e inspiruar nga jeta e Frida Kalos. Kjo performancë teatrore, zbulon aspekte nga jeta e një grua komplekse dhe kryengritëse, grua që i thyen kodet e normës sociale, përballet me identitetin dhe çështjet gjinore, nga politika deri te arti, guximshëm e hap rrugën për shumë gra dhe për të ardhmen e tyre në vitet që do të pasojnë. Momenti kur mjekët e njoftojnë se këmba e saj duhet të amputohet, Frida ik në dhomën e saj dhe mbyllet brenda. Duke kaluar përmes dhembjes fizike dhe emocionale, ajo ndjen sesi muret e dhomës ngushtohen, duke e shtrënguar atë. Derisa mjekët trokasin në derë, Frida mentalisht ik në rrugën e shërimit të trupit të saj të sëmurë dhe në konventat sociale ku ajo u ngrit.

Ndërsa më 16 tetor QKR (MKC) – Salla Frosina me fillim nga ora 20:00 sjellë Qendrën për Dekontaminim Kulturor nga Beogradi-Serbia. “Vizione nga shekulli i argjendtë” është një rrëfim për të paparamenduarën. Fatimja u takon atyre që shpëtuan. Por, të keqes nuk i shpëtuan djali dhe burri i saj. Përfituesit e luftës arrijnë të kenë sukses që lufta të mos përfundojë. Trupat paqësore shikojnë dhe nuk ndërmarrin asgjë. Atyre që e pësojnë, nuk ka mundësi t’u ndihmohet. Ata, me vetminë e tyre bëhen të paprekshëm. Teatri nuk është e thënë të merret me politike dhe me siguri se nuk mund të ofrojë zgjidhje. Mund vetëm të parashtrojë pyetje për njerëzit që janë të ngatërruar në ngjarjet historike, për ata që shpëtuan dhe për atë që ndodh, për ata që duhet edhe më tej të jetojnë.

17 tetori në po të njëjtën sallë e po të njëjtën orë sjellë Kompaninë Teatrore Jirjirak nga Teherani, Iran. “Fol Medea” është një përmbledhje e impresionove dhe mendimeve të ndryshme për “Medean”. Ky është tregim për një grua të fuqishme, e cila ndjehet e lënë anash dhe e papërkrahur. Në vetminë e saj, ajo i hakmerret burrit të saj, kurse kjo vuajtjet e saja i bën si vuajtjet e Prometeut. Kjo pjesë shpreh respektin e të gjitha grave të të gjitha kohëve, që vuajtën nga shtypjet dhe mosrespektimi.

E krejt në fund, ky festival do të përmbyllet më 18 tetor me fillim nga ora 20:00 ku në sallën Sallën Frosina do të paraqitet Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” nga Sofja-Bulgaria. Është shfaqja “Shërbëtorët” ku Sollanzh dhe Klara janë dy shërbëtore që krijojnë ritual sadomazohiste të elaboruara, sa herë që pronarja e tyre (Madam), nuk është prezent në shtëpi. Fokusi i lojës së tyre aktoriale është vrasja e Madam dhe ata ndryshojnë, duke i treguar të dy anët e ndarjes së fuqisë. Këmbëngulësia e tyre dhe përkushtimi i detajeve garantojnë se ata përgjithmonë nuk kanë mundësi t’i aktualizojnë fazat e tyre përmes “vrasjes” solemne e Madam në ritualin e shthurjes./ KultPlus.com

Të ngjajshme