13 Qershor, 2025 - 3:03 pm
Një nga emrat më të rëndësishëm të skenës operistike në botë, sopranoja Marigona Qerkezi realizoi për herë të parë një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Marigona shkëlqeu në koncertin gala të zhvilluar mbrëmë në Tiranë, me fuqinë e një zëri që ngriti në këmbë publikun në sallë.
Nën dirigjimin e maestros së mirënjohur Fabrizio Maria Carminati, me Orkestrën Simfonike dhe Korin, TKOB solli një mbrëmje ku muzika, eleganca dhe emocioni u ndërthurën në mënyrë të paharrueshme.
Koncerti kishte një program të përzgjedhur me vepra nga Puccini, Verdi, Cilea, Dvořák, Bernstein, Lara, Arditi si dhe nga kompozitorët shqiptarë Feim Ibrahimi dhe Avni Mula.
Marigona Qerkezi është një nga sopranot më të vlerësuara edhe në nivel ndërkombëtar e që ka ditur të marrë duartrokitjet e gjata të publikut edhe në skenat me prestigjioze në botë.
Marigona Qerkezi është një soprano e lindur në Kosovë dhe e rritur në Kroaci. Që në moshën 6-vjeçare Qerkezi dha shfaqjen e saj të parë në Lubjanë. Ajo është fituese e çmimeve të shumta në garat ndërkombëtare të operës si dhe u nominua nga The International Opera Awards si një yll në ngritje.
Qerkezi ështe diplomuar me diplomë master në Akademinë e Arteve të Prishtinës për Flaut dhe Kanto si dhe ka një diplomë bachelor në Menaxhim Biznesi nga Universiteti Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar./ KultPlus.com