Sot në TKK vjen premiera e shfaqjes “Kuartet” të autorit Heiner Müller

5 Prill, 2022 - 6:51 pm

Sonte duke filluar nga ora 21:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaqet premiera e shfaqjes “Kuartet” të autorit Heiner Müller, përcjell KultPlus.

Drama Kuartet e autorit gjerman Heiner Müller përshkon konfigurimin dual të dy personazheve antagonistë që përmes një dramaturgjie të hapur dhe lojës së dyfishtë shpalosin historitë dhe kujtimet e tyre përgjatë relacionit kohor: Sallon borgjez para Revolucionit Francez / Bunker pas Luftës së III-të Botërore.

Bazuar në romanin „Les Liaisons dangereuses“ të autorit Laclos, Kuartet trajton historinë e konfliktit të Merteuil dhe ish të dashurit të saj Valmont, të cilët reflektojnë mbi kohën e humbur, kujtesën, marrëdhëniet historike, trupin, pushtetin, seksualitetin, që tashmë janë ngurtësuar në mite pakohë. Përmes gjuhës së ashpër e retorike, drama/loja e tyre shndërrohet në një tribunal të kujtimeve që përshfaqin një realitet të fragmentuar e kompleks.

Ndërrimi i vazhdueshëm i roleve dhe “zhanreve“, tematizon edhe rolin e teatrit si medium e material që këto struktura të tejkalohen. Në ketë konstelacion shfaqja ka për bazë kujtesën e aktorit që përshkon udhëtimin e vet nëpër përvojën skenike. Ky refleksion i mundëson publikut të përballet me një „teatër të papërcaktuar“, në të cilin provojnë të shkrihen disa plane e dimensione mediale-teatrore.

Regjisor: Alban Beqiraj
Interpretojnë: Afrim Kasapolli, Aurita Agushi, Ermal Sadiku, Agon Bala
Skenograf: Mentor Berisha
Kostumografe: Yllka Brada
Grafika skenike: Florian Çanga
Ass. Regjisor: Milot Tafili
Tonist: Arben Aliu
Inspicient: Bajram Mehmetaj

Repriza e parë: 06 prill. / KultPlus.com

Të ngjajshme