Teatri Eksperimental shpallë sezonin artistik 2017-2018, në skenë Ndrenika, Anagnosti dhe Xhuvani

29 Shtator, 2017 - 9:30 am

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për sezonin artistik 2017-2018 premton të sjellë në skenën e tij 31 premiera, shfaqje të reja, për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur.

Drejtori i teatrit Kiço Londo premtoi një sezon cilësor dhe kthimin e emrave të njohur të skenës së teatrit si Robert Ndrenika, Roza Anagnosti. Pjesë e stinës artistike janë 12 produksione teatrore për të rritur.

“Këtë sezon artistik do të jenë gjithsej 12 produksione, dyfishi nga viti i kaluar, që do të zhvillohen në laboratorin e skenës të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Laboratori i Teatrit Eksperimental për Fëmijë do të ketë 7 produksione, por këtë vit do ti shtohet një shfaqje për fëmijët me aftësi ndryshe”, tha drejtori Londo.

Prezantimin e kalendarit artistik drejtori Londo preferoi ta niste me një provokim, me këngën e gjelave, që nënkupton që teatri që ai drejton është ngritur siç ka edhe slloganin e këtij viti “U ngritëm”. Kanë zgjedhur gjelin si simbol të këtij sezoni, për t’u zgjuar jo vetëm vetë, por edhe të tjerë.

“Gjelat kanë një të mirë që zgjojnë të zotin por dhe komshiun, është një tendencë për tu zgjuar të gjithë komshinjtë tanë, Ministria e Kulturës, të gjithë ata që kanë në dorë fondet publike. Me fondet e tre projekteve ne bëjmë 15. Këtë radhë ne kemi vendosur të mos qahemi, por të bëjmë 31 projekte”, tha Londo. E gjithë puna që bëhet në teatër sipas tij ka si qëllim për vepra me nivel. “Qëllimi i kësaj stine është teatër cilësor për të gjithë. Kthimi në vazhdën e emrave të njohur si Robert Ndrenika, Arben Derhemi, Gazmend Gjoka, kësaj radhe “Medea” do të rikthejë për tretin sezon rresht në skenën e TKE Luzia Xhuvanin, do të jetë pjesë e produksioneve dhe e mirënjohura e munguar Roza Anagnosti”, tha Londo. Teatri për fëmijëe hapi sezonin me shfaqjen “Princesha e gjelbër” e laboratori i TKES për fëmijë do të vijojë dhe me “Eni”, “Krishtlindje të rriturish”, “Matilda”, etj. Laboratori i TKES për adoleshentë sjell takimin e parë-Austin Winberg dhe Punishten Teatrore. Në repertor të teatrit do të jenë dhe shfaqje si “Shkolla e grave”, “Tramvaj me emrin dëshirë”, “Çfarë pa kryeshërbëtorja”. 12 veprat për të rritur janë ato me titull “Shumë zhurmë për asgjë” që çel dhe sezonin artistik vepër e Shekspirit, “Rojet e Taj” nga Rajiv Joseph, “Medea” nga Euripid, “Emri” Mathieu Delaporte Alexandre de la Patelliere, “Zonja presidente” Werner Schwab, “Gishti” Doruntina Basha, etj. Pjesë e këtij sezoni 2017-2018 është dhe Festivali i dramaturgjisë franceze. Ky sezon sjell bashkëpunimin me 4 regjisorë të huaj, por nuk do të mungojë dhe regjisori Altin Basha me shfaqjet e tij.

Ministria, shënime për buxhetin

Janë realizuar 350 shfaqje në këtë teatër sezonin e kaluar. Por problemet vijojnë me buxhetin për sezonin artistik. “Ishte një stinë me 350 shfaqje. Marrim më pak se 3 përqind të buxhetit që marrin 12 teatrot sëbashku dhe kryejmë 60 përqind të shfaqjeve” pohoi drejtori Kiço Londo. Buxheti i TKES arrin diku te rreth 55 mijë euro në vit për projektet artistike. “Kam folur vetë me ministren dhe ajo ka mbajtur shënim. Besoj se do të jetë e vëmendshme” pohoi mes të tjerave drejtori Londo për buxhetin, që akordon Ministria e Kulturës. “Ministria e Kulturës na detyrohet dhe 20 përqind fonde nga viti i kaluar dhe besoj që deri në fund të vitit do të na i akordojë”, shtoi Londo. Një problem shqetësues për të është dhe gjendja e teatrit shqiptar sot në përgjithësi. Sipas tij sot në teatrot në vend ndiqet një trajektore e gabuar. Për teatrin që drejton Londo vijoi të pohojë se aktiviteti do të jetë në tre salla, ajo Molier, Gëte dhe Lorka. / KultPlus.com

Të ngjajshme