“Teatri i Hapur Ballkanik” – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

29 Shtator, 2022 - 4:13 pm

Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Abigeila Voshtina, ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit në fushën e teatrit, dramës, operës dhe baletit, me homologët nga “Teatri Kombëtar” në Beograd, Svetislav Gonçic, dhe i “Operës dhe Baletit Kombëtar” nga Shkupi, Vaso Ristov, në kuadër të platformës “Teatri i Hapur Ballkanik”.

“Brenda secilit prej nesh ka shumë rrënjë, siç janë rrënjët e mia, një pjesë nga Maqedonia e Veriut e një pjesë nga Greqia. Prandaj kulturat tona janë shumë të afërta, me të përbashkëtat tona, por edhe me ngjyra të ndryshme e detaje të vogla që bëjnë diferencën”, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e TKOB-it.

Voshtina gjendej prej disa ditësh në një vizitë zyrtare në Beograd, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Svetislav Goncić.

Kjo ftesë, vjen si hap i parë konkret drejt shkëmbimit kulturor dhe projekteve të bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të iniciativës mbi Ballkanin e Hapur.

Nënshkrim i protokollit të bashkëpunimit nga të tre vendet pjesëmarrëse, do të sjellë edhe një iniciativë konkrete shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor./atsh/ /KultPlus.com

Të ngjajshme