The Handke Project, sonte premierë në Prishtinë

3 Qershor, 2022 - 6:40 pm

The Handke Project, ose drejtësi për marrëzitë e Peter-it, një projekt teatror ndërkombëtar që po zhvillohet aktualisht në Prishtinë, ka bërë bashk një kastë të artistëve nga Kosova, Franca, Italia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Gjermania, Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi.

Përmes prizmit të laureatit kontravers të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke, një ansambël pan-evropian navigojnë nëpër baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër.

Në kastën e aktorëve është edhe aktori i mirënjohur shqiptar nga Parisi, Arben Bajraktaraj, i cili luan në teatër në Kosovë pas mbi 20 vitesh. Aktorë të tjerë të angazhuar janë edhe Ejla Bavćić e Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Adrian Morina e Verona Koxha nga Kosova, aktori shqiptaro-italian Klaus Martini dhe aktorja nga Mali i zi Anja Drljević.

Premiera e kësaj shfaqjeje ndërkombëtare, regjinë e së cilës është duke e bërë Blerta Neziraj, do të jepet me 3 qershor në Teatri Oda, në Prishtinë, për t’u pasuar me një reprizë të radhës me 4 qershor, po në Teatrin Oda. Reprizat e radhës do të jenë me 6 qershor, në Teatrin Shqiptar në Shkup, me 7 qershor në Teatrin Adriana në Ferizaj, me 9 dhe 10 qershor në Teatrin Bitef në Beograd. Shfaqjet në Itali, Bosnjë e Hercegovinë, Gjermani dhe në vende tjera evropiane janë planifikuar nga korriku I këtij viti. Shfaqja do të luhet në gjuhën angleze.

The Handke Project është produksion teatrot i Qendrës Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit –MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë).

The Handke Project është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”. Vuajtjen e srbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjvee në kohën e nacizmit!

Tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj, dramaturge e shfaqjes është Biljana Srbljanović, kurse bashkëpunëtore artistike është Alida Bremer. Skenografe e shfaqjes është Marija Kalabic, kompozitor: Gabriele Marangoni, koreograf: Gjergj Prevazi, kostumograf: Blagoj Micevski, dizajni i dritave: Yann Perregaux, dizajni i tonit: Leonardo Rubboli dhe tempo Reale, asistent i regjisë: Sovran Nrecaj, menaxhere e produksionit: Aurela Kadriu, kurse asistente e produksionit është Flaka Rrustemi./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme