Tirana së shpejti me një teatër ndër më modernët në Europë

16 Shkurt, 2018 - 10:24 am

Tirana do të ketë shumë shpejt një teatër të ri modern, pa kullë, në vendin ku ndodhet sot Teatri Kombëtar dhe do të jetë ndër më të mirët në Europë, ka deklaruar sot Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

I ftuar në koncertin “Vienna Salutes Tirana”, i cili çeli zyrtarisht Vitin Kulturor Austri-Shqipëri në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj, u shpreh se “Unë kam një lajm të mirë sot. Ne tashmë e kemi marrë një vendim, nuk është sekret. Tirana do të ketë një Teatër Kombëtar modern, pa kullë sipër, në vendin ku është Teatri sot dhe do të jetë ndër më të mirët në Europë dhe jemi të vendosur që ta zhvillojmë këtë projekt në kohë rekord”.

“Ju premtoj sot publikisht që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, me ministren e Kulturës dhe të gjithë dashamirësit, ne do të kemi një Teatër Kombëtar të paprecedent në të gjithë Europën”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë pohoi se sikurse të gjitha projektet e mira, kërkohet durim dhe bashkëpunim nga të gjithë. “Por si çdo projekt, sidomos projektet e sofistikuara, duan durim, duan bashkëpunim. Ajo që do të shikoni sot në skenë duke filluar nga Inva Mula e gjithë të tjerët është produkti i njerëzve që i bëjnë gjërat me durim, që mundohen të bëjnë histori, jo histeri dhe nëse ne i bëjmë gjërat me durim dhe me mirëkuptim, ashtu siç dukeshin të pamundur ndonjëherë sheshi “Skënderbej”, apo Pazari i Ri, apo këndi i lodrave, apo debate të tjera që ne kemi pasur thuajse duke u kacafytur me njëri-tjetrin, që sot kanë dalë produkte të mrekullueshme”, tha ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme