Transformohet Teatri i Operas dhe Baletit

3 Gusht, 2019 - 9:00 pm

“Së shpejti Shqipëria do të ketë një Teatër të ri të Operas dhe Baletit”, deklaron kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “Opera, edhe pse ishte ku e ku më e mirë, se sa karakatina e turpshme prej tallashi e Teatrit Kombëtar, nuk krahasohej dot as me teatrot e qytezave të Europës”.

Rama ka publikuar edhe disa foto nga rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit i cili duket se është në fazën e fundit të punimeve duke u kthyer në një tempull të muzikës lirike, baletit klasik me kushte moderne dhe e krahasueshme me skenat europiane.

E gjithë godina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknik e profesional të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare. Ndërhyrje kaq e thellë rikonstruksioni nuk është bërë që para 60 vitesh.

“Dhe me këtë rast, kush ka sy të shikojë e mendje të mendojë, mund të shohë (edhe pse ende s’ka përfunduar Salla e Madhe e shfaqjeve) pa asnjë mundim, dallimin si nata me ditën mes pasionit tonë për të bukurën e për dinjitozen dhe lidhjes së pandashme me shëmtinë e me pisllëkun, të atyre që u vriten sytë nga drita e të resë. Ja kështu, njësoj, do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar i Fjalës, i cili përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjoze “BIG””. Kjo vlen edhe për ata që e kanë romuzin 3D në majë të gjuhës kur komentojnë, sepse para se të niste ky kantier, 3D ishte edhe kjo këtu”, deklaron kryeministri Rama.

Të ngjajshme