‘Vetëharrimi’, drama që sjellë luftën e dyfishtë të mbijetuarave të dhunës seksuale

29 Mars, 2021 - 11:02 pm

Suada Qorraj

Grua mes tri jetësh, atë të para luftës, gjatë saj, e tash dhe pas saj, por në fund duke mos u gjendur në asnjërën prej tyre. Dikur grua, nënë e profesoreshë, kurse sot veç një hije më shumë. Dikur me dy fëmijë, kurse sot me njërën që i fle në qiell e varrin s’ia di, e me  tjetrën që gojën s’hap, e n ‘ditar duke shkruar rri. E dhunuar gjatë luftës, e dëshmitare e dhunës, e mbijetuara, por e harruara e paqes. Është kjo ‘Vetëharrimi’, drama që ngritet mbi fatin e traumën shpirtërore të grave të dhunuara, plaga e së cilave ka mbetur e pashëruar, shkruan KultPlus.

Teksa drama tashmë kishte filluar të merrte jetë në skenën e teatrit Dodona, mes dritareve që silleshin sa në njërin skaj në tjetrin, dhe muzikës që sillte loja në çelo, pikërisht një natë para premierës së kësaj shfaqje, KultPlus ishte prezent në provat gjenerale të ‘Vetëharrimit’.

Dramaturgu Besim Rexhaj në një prononcim për KultPlus tha se ky ka qenë një ndër tekstet më të vështira për tu shkruar për shkak të ndjeshmërisë dhe kujdesit që kërkon trajtimi i keqja çështjeje.

“Ka qenë shumë e vështirë, unë kam shkruar edhe tre drama tjera, por në kuptimin e vështirësisë psikologjike, sigurisht që ky ka qenë teksti më i vështirë që e kam shkruar deri më sot. Kjo për shkak të ndjeshmërisë dhe nevojës që të kemi kujdes në trajtimin e çështjes. Prandaj dhe në këtë kuptim barrën e shkrimit të kësaj monodrame nuk e kam mbajtur fare lehtë”, pohoi profesori Rexhaj.

Tutje ai ka shtuar se kjo monodramë nuk paraqet vetëm fatin e trishtë të një individi, por përmes saj shënjohet kategoria e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ku përmes simbolizmit të personalitetit të gruas artikulohet dhe kalimi i saj në kthetrat e dhunimit.

Me gjuhën e dhembjes, të akuzës, të ironisë e të qortimit moral e madje, edhe politik, drama ‘Vetëharrimi’ është ndërtuar si thirrje artistike, e cila do të duhej të nxiste ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, e cila ende vazhdon ta margjinalizoje plagën më të rëndë që ka lënë prapa lufta gjenocide e Serbisë së Millosheviqit në Kosovë.

Për Besim Rexhaj është thelbësore që përmes ‘Vetëharrimit’ të marrë jehonë tragjikja që i ka ndodhur femrës, jo vetëm gjatë luftës por edhe pas luftës.

“Përkundër rrethanave të krijuara nga pandemia ne kemi qenë këmbëngulës që të realizojmë një shfaqje teatrore që i bënë jehonë tragjikës së femrës sonë, që ka ndodhë gjatë luftës së fundit. Synimi ka qenë që të artikulojmë jo vetëm tragjedinë e tyre, por dhe pozitën e tyre margjinale, më shumë se njëzet vite pas luftës. Pra ideja është që ti bëjmë jehonë vështirësive të tyre të luftës e të pas luftës”, deklaroi ai.

Për personazhin kryesor të kësaj drame Sheqerie Buqaj, mishërimi me një rol të tillë nuk ka qenë edhe aq i lehtë, sepse për sa kohë që ajo gjendet në skenë, për ata pak minuta ndjenë atë që gratë e dhunuara gjatë luftës e jetojnë dhe e heshtin çdo ditë.

Tutje ajo ka shtuar se teksa është munduar që të futet sado pak në lëkuren e grave që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, ajo dhe ka arritur ti arsyetoj për heshtjen e tyre, pikërisht për faktin se tash e njëzet e dy vite pas luftës, për to ende mungon përkrahja shtetërore.

“Jam munduar që të futem në lëkurën e atyre grave, ku dhe i kam arsyetuar shpesh herë për heshtjen e tyre, sepse është shumë e vështirë të flasësh kur nuk ke përkrahje shtetërore, sepse nuk mjafton që të bëhesh e famshme vetëm nëpërmjet medieve, përderisa shteti nuk bënë asgjë për të dënuar kriminelët”, tha ndër të tjera aktorja.

‘Vetëharrimi’ shoqërohej nën tingujt e çelos së Gresa Broqit, e melodisë së zërit të saj kumbues, pikërisht atëherë kur tragjedia e tri jetëve mbërrinte kulmin e saj.

Në një prononcim për KultPlus Broqi theksoi se nuk është e lehtë që të jesh pjesë e një shfaqjeje të tillë, sepse mishërohesh me atë se çka ka ndodhur më shumë se njëzet vite më parë e njëkohësisht ballafaqohesh me idenë e të bërit të ditur vendit se nuk është e lehtë të jetosh çdo ditë nën hijen e përjetimeve të tilla e pa një mbështetje të duhur shtetërore.

Krejt në fund dramaturgu dhe profesori Besim Rexhaj tha se për shkak të pandemisë janë detyruar që premierën e shfaqjes ta bëjnë përballë një publiku të vogël në numër, e që në kushte normale një gjë e tillë nuk do të ndodhte.

‘Vetëharrimi’, si tekst dramatik i Besim Rexhajt e si shfaqje teatrore e Fadil Hysajt do të shfaqet nesër në Teatrin ‘Dodona’ në orën 19:30, kurse do të ketë dhe reprizën një ditë më pas./ KultPlus.com

Të ngjajshme