“Zoti i Masakrës” premiera që mbyllë vitin 2017-të sonte në TKK

25 Dhjetor, 2017 - 10:00 am

Me tekst të Jasmina Reza e regji të Besfort Idrizit, të hënën më 25 dhjetor do të prezantohet premiera e shfaqjes “Zoti i masakrës”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Donikë Ahmeti, Shpëtim Selmani, May-Linda Kosumovic dhe Labinot Raci.

Jasmina Reza është një nga dramaturgët më të famshme bashkëkohore në botë. Përveç që shfaqjet e saja janë inskenuar me sukses në mbarë botën, ajo është fituese e çmimeve të mëdha, mes të cilave vlen të përmenden Molier, Laurence Olivier dhe Tony Aëard për autor më të mirë, nga të cilat çmimet Laurence Olivier dhe Tony janë pikërisht për dramën “Zoti i masakrës”.

Në shfaqje bëhet fjalë për dy familje të shtresës së lartë shoqërore, apo më saktësisht për dy çifte të prindërve, fëmijët e të cilëve janë rrahur në shkollë. Sjellja e fëmijëve është motivi që prindërit të takohen dhe t’i diskutojnë shkaqet dhe problemet e mundshme që mund të dalin nga një sjellje e tillë e papërshtatshme të fëmijëve të tyre. Pasi prindërit do të takohet dhe të njohin njëri-tjetrin, pavarësisht pritjes së tyre që do të gjejnë zgjidhje të shpejtë dhe racionale, ndodh krejt e kundërta.
Shfaqja është kamertale dhe fokusohet më tepër në lojën e aktorëve dhe përpjekjeve të gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të personazheve, sesa në elementet dhe efektet tjera skenike deskriptive. Sa për zhanrin e shfaqjes, do të jetë tragjikomike, apo si që thotë autorja, komedi e zezë./ KultPlus.com

Të ngjajshme