1 qershor 1953, kur në Kosovë u themelua Instituti Albanologjik 

5 Qershor, 2022 - 9:30 am

Instituti Albanologjik është institucion i pavarur publik kërkimor-shkencor me rëndësi të veçantë kombëtare, që merret me studimin e kulturës shpirtërore e materiale të shqiptarëve. Veprimtarinë e vet e zhvillon në bazë të Ligjit për Institutin Albanologjik dhe Ligjit për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore të Kosovës.

Instituti Albanologjik ka për objekt veprimtarie punën kërkimore-shkencore nga fushat e albanologjisë: gjuhësi, letërsi, histori, folklor dhe etnologji. Veprimtarinë e tij e zhvillon duke i hulumtuar problemet albanologjike në terren dhe arkiva, duke i studiuar ato dhe duke i botuar rezultatet e arritura shkencore. Organizon sesione, simpoziume, konferenca e tryeza ku trajtohen çështje te ndryshme ne fushat e shkencave albanologjike. Organet udhëheqëse të Institutit janë: Këshilli Shkencor, si organ shkencor-profesional, Këshilli Drejtues, si organ kolegjial i udhëheqjes dhe drejtori i Institutit. Ka arkivin, bibliotekën, sallën e eksponateve, sallën e leximit, sallën shkencore dhe kabinetet e punëtorëve ku mundësohet puna e pavarur hulumtuese-shkencore.

 Historiku i Institutit Albanologjik

Instituti Albanologjik u themelua më 1 qershor 1953. Në fillim i kishte katër punonjës dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm. Ata e morën seriozisht punën dhe u angazhuan në fusha të caktuara të studimeve shqiptare, por pushteti i atëhershëm serb dëshironte që këtë institucion ta përdorte për nevoja të propagandës së jashtme, ndërsa, në të vërtetë, që në fillim, ishte angazhuar, me të gjitha mënyrat, ta sabotonte punën e tij. Me vendim të organeve shtetërore, Instituti u mbyll më 25 dhjetor 1955. Shërbimi sekret shtetëror i sekuestroi dorëshkrimet, kurse punëtorët shkencorë i transferoi e dëboi.

Studimet albanologjike mbetën kështu pa qendër institucionale dhe punonjësit shkencorë jo vetëm që u shpërndanë, por edhe u përndoqën nga pushteti i atëhershëm serb.

Në vitet 60, kur filloi edhe shkollimi universitar me hapjen e disa fakulteteve në Prishtinë, u ngjallën edhe studimet albanologjike. Në rrethanat e krijuara pas vitit 1966, më 28 shkurt 1967, u rithemelua Instituti Albanologjik i Prishtinës me vetëm pesë punonjës shkencorë dhe u vendos në një ndërtesë të vjetër të ish-kazermave ushtarake. 

Në saje të angazhimit të veçantë të punonjësve shkencorë të brezit të themeluesve të tij, brenda dhjetëvjetëshit të parë ky institucion e krijoi fizionominë e vet të plotë dhe shënoi rezultatet e para, shumë të rëndësishme, në të gjitha fushat e studimeve albanologjike. Brenda këtij dhjetëvjetëshi u bë një punë e madhe për ngritjen e kuadrit të ri shkencor dhe u mblodh lëndë e pasur folklorike, etnologjike, gjuhësore etj. 

Në të gjitha viset shqiptare, u bënë hulumtime të shumta në arkiva e biblioteka dhe u mblodh një fond relativisht i pasur i librave dhe i publikimeve të ndryshme shkencore për bibliotekën e tij. Në vitin 1977 Instituti Albanologjik u vendos në ndërtesën e re moderne të ndërtuar enkas për këtë institucion të rëndësishëm kombëtar, pasi që u shumëfishua numri i kuadrove dhe u hapën edhe degë e seksione të reja.

Instituti Albanologjik i Prishtinës nga politika sllave mori goditje të reja edhe gjatë dhjetëvjetëshit të dytë të punës së tij. Pas vitit 1981 kur kishte filluar procesi i zhbërjes së autonomisë së Kosovës nën presionin e drejtpërdrejtë të politikës, të cilën e karakterizonte lufta kundër “irredentizmit shqiptar”, puna e tërësishme e këtij institucioni e në mënyrë të veçantë planifikimi afatgjatë dhe veprimtaria botuese, iu shtrua rishikimit dhe vlerësimit politik. Goditja më e madhe u bë në fushën e bashkëpunimit brendashqiptar, sepse në këtë periudhë gati për 10 vjet me radhë u ndërpre çdo formë e bashkëpunimit me institucionet shkencore të Shqipërisë. Në këto kushte, përveç dëmtimit të përgjithshëm, mbetën të pakryera edhe disa projekte të mëdha, siç janë “Atlasi dialektologjik i të folmeve shqipe”, “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë” etj.

Në dhjetëvjetëshin e tretë, Instituti Albanologjik i Prishtinës mbeti pa asnjë lloj financimi, por vazhdoi të punonte. Punonjësit e tij, tani të bindur se rruga e fitores kalon nëpër sakrifica, u detyruan të jetonin edhe me ndihma që vinin nga asociacione të ndryshme humanitare, siç ishte, bie fjala, Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza”. Mirëpo, vullneti për punë nuk pushoi asnjëherë, hulumtimet, prezantimet e publikimet vazhduan edhe pse tani me vështirësi shumë të mëdha. Falë ndihmës së donatorëve, veprimtaria shkencore e Institutit Albanologjik nuk u ndërpre asnjëherë tërësisht. 

Nuk u ndërpre madje as atëherë kur objekti i Institutit Albanologjik u mor me dhunë më 8 mars 1994 dhe kur punonjësit e tij u nxorën të përgjakur nga vendet e punës. Ata arritën të riorganizohen dhe të vazhdojnë punën në formë institucionale në një shtëpi private, në kushte mjaft të vështira të punës. Aktivitetet shkencore nuk u ndalua dhe ky institucion vazhdoi veprimtarinë e tij në këtë objekt deri më 1 prill 1998, kur autoritetet e pushtetit të dhunshëm serb në Kosovë, pas një marrëveshjeje shqiptaro-serbe, të arritur me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare, e liruan objektin e Institutit Albanologjik, të uzurpuar nga organet serbe të pushtetit. Kjo ishte shpresë e madhe për popullin e Kosovës se do të ktheheshin edhe objektet e tjera të uzurpuara, por kjo shpresë qe afatshkurtër, sepse lufta, e cila veç kishte filluar në Kosovë, erdhi duke marrë përmasa të mëdha dhe çdo gjëje do t’i humbte kuptimi për një kohë.

Në periudhën e bombardimeve të NATO-s, ndërtesa e Instituti Albanologjik ka shërbyer si objekt strehimi, ku janë fshehur forcat serbe.  Gjatë kësaj periudhe ndërtesa ka pësuar dëme të mëdha, sidomos me zhdukjen e materialeve me vlera të veçanta nga Arkivi shkencor i këtij instituti.

Pas një numri të madh viktimash e dëmesh të pallogaritshme që pësoi Kosova në luftën e saj çlirimtare, në qershorin e vitit 1999, Instituti Albanologjik prapë iu kthye jetës dhe punës hulumtuese e shkencore. / KultPlus.com

Të ngjajshme