“South Outdoor Festival“ ju fton për një përvojë të paharruar

26 Mars, 2018 - 2:37 pm

Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, përfaqësues të GIZ-it në Shqipëri dhe operatorë të turizmit, në mëngjesin e së hënës kanë zbritur deri në Prishtinë, me qëllim që të prezantojnë edicionin e dytë të South Outdoor Festival që do të mbahet në fshatin turistik Vunoi të Himarës, festival që ngërthen shumë aktivitete sportive, kreative dhe kulturore, shkruan KultPlus.

Vetë Hajrulla Çeku këtë prezantim e vlerësoi shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të bëhet ndërlidhja e këtij festivali edhe me të interesuarit në Kosovë, që të marrin pjesë me aktivitete të ndryshme, si: climbing, jeep safari, hiking, yoga dhe shumë aktivitete të tjera.
Çeku ka thënë se nëpërmjet këtij festivali, kosovarët kanë mundësi që të njohin për së afërmi edhe turizmin e kësaj zone, pasi që, në një rast tjetër vështirë të njihen me bukuritë e fshatrave që ka Shqipëria, sikurse është rasti me fshatin Vunoi.

Kurse Dhurata Gazulli nga GIZ, organizues të këtij festivali, në këtë prezantim ka thënë se qëllimi i tyre është që të bëjnë promovimin e fshatrave, duke iu referuar këtij festivali që ka tashmë edicionin e dytë, dhe është i lëvizshëm, pikërisht për njohje të sa më shumë zonave.

“Këtë vit është zgjedhe fshati Vunoi”, ka thënë Gazulli, e cila ka theksuar se shtëpitë e këtij fshati janë në një pozitë mahnitëse që ofron një pamje të rrallë.
“Festa do të ndodhë në Vunoi, por në këtë festival do të përfitojnë edhe fshatrat përreth, ku operatorët e Shqipërisë do të ofrojnë aktivitete të ndryshme sportive”, ka thënë Gazulli.
Ajo ka shpjeguar se për dallim nga edicioni i parë, këtë vit, këtij festivali i janë shtuar edhe dy aktivitete, ai i tureve kulturore ku do të vizitohen fshatrat Himara dhe Vunoi, sikurse edhe turi i degustimit të vajit të ullirit.

Kurse përfaqësues të operatorëve që janë pjesë e këtij festivali kanë thënë me këtë rast se të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të provojnë pak nga të gjitha, pasi që, krejt këto oferta në sezonin e verës kanë një kosto shumë të lartë, kurse përgjatë këtij festivali çmimet do të jenë shumë të volitshme.

Organizatorët në fund kanë bërë të ditur se ky festival do të zgjasë për tre ditë, prej 27 deri më 29 prill, dhe këto tre ditë janë të mbushura me aktivitete të ndryshme sportive, kreative e kulturore.
Të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij festivali që ofron shumë, mund ta bëjnë rezervimin online në faqen zyrtare të këtij festivali, që do të jetë aktive prej 1 prillit. /KultPlus.com
KultPlus ju sjellë videon e edicionit të parë të këtij festivali.

Të ngjajshme