Aeronautika, dimensioni tjetër i turizmit të aventurës në Shqipëri

13 Maj, 2019 - 12:40 pm

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, ka festuar sot së bashku me djemtë e Aeronautikës Shqiptare 20-vjetorin e Albanian Open 2019.

Klosi u shpreh se Shqipëria ka vende spektakolare për këtë sport, që së fundmi është shndërruar mirëfilli në biznes 15 vite nga fluturimi i fundit në Llogora.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit bëri një tjetër hedhje me parashutë nga mali i Kaninës, në Vlorë. Një fluturim si simbolikë me rastin e 20-vjetorit të Albanian Open 2019, të organizuar nga Aeronautika Shqiptare, por edhe si një mënyrë për të promovuar bukuritë përrallore të Shqipërisë dhe turizmin e aventurës, gjithnjë e më shumë në fokusin e turistëve të huaj.

“Sot, me djemtë e Aeronautikës Shqiptare po festojmë 20- vjetorin e Albanian Open dhe po marrim pjesë në një garë spektakolare me shumë garues nga 13 shtete të botës dhe po promovojmë një dimension të veçantë të turizmit shqiptar, që është turizmi i aventurës. Shqipëria ka vende spektakolare për këtë lloj sporti dhe djemtë e kanë kuptuar tashmë që ky nuk është vetëm sport, por edhe biznes dhe një atraksion i shtuar turistik”, tha ministri Klosi.

Gjatë këtij sezoni të ri turistik, Vlora, Llogaraja, Himara, apo destinacione të tjera turistike ku mund të zhvillohen sporte të kësaj natyre, do të shoqërohen me shumë fluturime nga djem dhe vajza profesionistë, që i ofrojnë turistëve një dimension tjetër turistik, të pashquar më parë. Në mbrëmje, ministri Klosi mori pjesë edhe në ceremoninë festive të Open Air Albania 2012, që këtë vit u organizua në Lungomare nga Aeronautika Shqiptare, ku u shpërndanë edhe çmimet për garuesit më të mirë, përfaqësues të njohur të kësaj disipline nga e gjithë bota. Një mbrëmje e mrekullueshme, me protagonist kryesor fituesin e garës spektakolare të hedhjeve me parashutë, sllovenin Matjaž Sluga. /j.p/

Të ngjajshme