Afresket e Kishës së Shën Kollit në Voskopojë po pastrohen nga mbishkrimet e dëmshme

23 Korrik, 2025 - 5:45 pm

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale pamje nga procesi i pastrimit të afreskeve në Kishën e Shën Kollit, që ndodhet në qendër të Voskopojës. Kjo ndërhyrje është pjesë e punimeve restauruese që po zhvillohen në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore.

Specialistët e DRTK Korçë po angazhohen për të pastruar mbishkrimet e paligjshme dhe të dëmshme të vendosura në afresket e hajatit të kishës. Në një njoftim zyrtar, Drejtoria thekson se:
“Këto shkrime jo vetëm që kanë cenuar vlerën artistike të afreskeve, por përbëjnë edhe një formë dëmtimi të trashëgimisë sonë të përbashkët.”

Kisha e Shën Kollit është një nga objektet më të rëndësishme të kultit në Voskopojë dhe përfaqësuese e denjë e arkitekturës post-bizantine. E ndërtuar midis qershorit 1721 dhe shtatorit 1722, ajo ruan të gjitha elementët tipikë të tipologjisë bazilikale post-bizantine: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren — kjo e fundit mendohet të jetë shtuar në një periudhë më të vonë, përcjellë KultPlus.

Rindërtimi i fundit i saj u realizua rreth vitit 1936. Për vlerat e saj të mëdha artistike dhe arkitektonike, Kisha e Shën Kollit u shpall monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1948.

Kjo kishë, përveç rëndësisë së saj si vend kulti, mbetet edhe një dëshmi e gjallë e madhështisë historike që ka pasur qyteti i dikurshëm i Voskopojës. Punimet restauruese aktuale janë një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes dhe ruajtjes së kësaj trashëgimie të çmuar për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm./KultPlus.com

Të ngjajshme