Ahmeti: Shpenzohen 500 mijë euro ndërsa Xhamia e Çarshisë mbetet e pakryer

24 Nëntor, 2017 - 5:19 pm

Pak më herët, edhe Shpend Ahmeti ka reaguar rreth vendimit të gjykatës dje, që Agim Gërguri dhe Gani Gashi të dënohen me disa muaj burgim dhe me gjobë.

Gërguri dhe Gashi kanë qenë për disa kohë pjesë e institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore.

“Në vitin 2014 kam has në një parregullsi të madhe në renovimin e xhamisë së Çarshisë. Komuna kishte transferuar 500 mijë euro tek Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore për renovimin e xhamisë. Tani po i kërkonin edhe 80 mijë të tjera.
Nuk kishte asnjë raport të 500 mijë eurove të shpenzuara, nuk kishte asnjë raport për tender, ndërsa gjendja e xhamisë nuk tregonte se ishte afër. Prandaj që atëherë kërkova hetim dhe auditim sepse nuk ishin pak para. Nuk e dija as kush ishte drejtor në Institut e as kush është marr me atë punë.
Dje kuptova që Gjykata ka konstatuar keqpërdorim të pozitës dhe ka dënuar dy persona me 6 muaj burg, dhe më pastaj këtë dënim e ka kthyer në gjobë prej 3600 eurove.
500 mijë euro, xhamia e pakryer, asnjë dokument, asnjë raport dhe në fund 3600 euro gjobë” ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Ish-drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Agim Gërguri dhe shefi i sektorit të arkitekturës në këtë institut, Gani Gashi, janë dënuar, të enjten, me nga gjashtë muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Dënimi me burgim, me pajtimin e të akuzuarve, u është shndërruar në dënim me gjobë, në shumë prej 3600 euro për secilin, shkruan KultPlus.

Ndër kompanitë përfituese për kryerjen e punimeve, sipas aktakuzës, kishin qenë edhe kompania “Arch Code” me pronare bashkëshorten e të akuzuarit Gashi, Luljeta Gashi, pastaj kontrata për shërbime ishin lidhur edhe me Amir Gërgurin, djalin e të akuzuarit Gërguri dhe Ard Gashin, djalin e të akuzuarit Gani Gashi.Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme