Arkeologët gjejnë absidën 2.300-vjeçare në Stamboll

27 Maj, 2021 - 9:22 am

Gjatë punimeve në stacionin historik të trenit, “Haydarpaşa” në Stamboll, arkeologët ranë në gjurmë të absidës gjysmërrethore – një strukturë e njohur kryesisht në kisha antike – që daton nga shekulli i 3-të para Krishtit.

Ky është zbulimi i fundit në qytetin antik të njohur si Kalcedoni, nga një ekip i udhëhequr nga arkeologu Mehmet Ali Polat. Sipas medias turke “Hurriyet Daily News”, që ka raportuar e para për këtë gjetje, kjo mund të jetë ndërtesa më e vjetër e nxjerrë në pah nga gërmimet e deritanishme në këtë lokacion.

Ani pse arkeologët janë ende të pasigurt për funksionin specifik të absidës së sapozbuluar, ata besojnë se ky vend mund të ketë qenë i shenjtë. Në arkitekturën antike një absidë ndodhej shpesh në fund të një korridori, ku zakonisht do të vendosej statuja e një perëndie. Objekti ku u zbulua absida mund të kishte funksionuar si një faltore ose ndoshta edhe një mauzole.

Kalcedoni, i njohur gjithashtu si “Khalkedon”, u themelua nga kolonistët grekë megarianë në anën lindore të ngushticës së Bosforit në vitin 685 para Krishtit. Kur kolonistë të tjerë mbërritën nga Megara, ata e quajtën Kalcedonin “Qyteti i të verbërve”, sepse kishin neglizhuar një vend kyç në bregun perëndimor që ishte pozicionuar kundrejt qytetit bizantin.

Mes strukturave të gjetura këtë muaj në lagjen “Kadıköy” ishin edhe grup ndërtesash që dikur kanë qenë një pallat i vogël veror dhe një depo. Krahas këtyre gjetjeve ishin edhe ato më të vogla, duke përfshirë monedha dhe qeramikë që datojnë rreth vitit të 6-të p.e.s.

Kur filloi puna për mirëmbajtjen dhe rinovim për të akomoduar trena me shpejtësi të madhe në vitin 2018, ekspertët gjetën mbetjet antike nën shina. Që nga ajo kohë Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë dhe muzetë arkeologjikë të Stambollit kanë udhëhequr gërmimet në këtë vend antik. Ekipi arkeologjik përfshin rreth 430 njerëz, në mesin e tyre arkeologë dhe specialistë të muzeut.

Artefakte dhe ndërtesa të panumërta të periudhave të ndryshme, që mbulojnë epokat helenistike, romake, bizantine dhe osmane janë gjetur “Haydarpaşa”. Arkeologët kanë gjetur 10,000 monedha ari dhe mbetjet e një kështjelle të shekullit të 5-të, si dhe 28 grupe eshtrash njerëzore, një fontanë të epokës bizantine dhe rrënojat e një pallati spektakolar bizantin. Të gjitha këto zbulime tregojnë se qyteti mund të ketë pasur dikur një sistem gjithëpërfshirës të tregtisë./ artnews.com / KultPlus.com

Të ngjajshme