Bashkëpunim ndër-institucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

20 Dhjetor, 2021 - 3:39 pm

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka organizuar sot një tryezë me temën bashkëpunimi ndër-institucional në fushën e trashëgimisë kulturore.

E ndarë në tri panele diskutimi, në konferencë kanë diskutuar drejtuesit e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe profesionistë të kësaj fushe.

Në hapje morën pjesë Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Zanita Halimi – Kryetare e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Kreshnik Bajraktari – zv. Udhëheqës Ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, përfaqësues të institucioneve tjera nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të institucioneve të trashëgimisë, studiues nga Universiteti i Prishtinës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, dhe nga organizatat e tjera të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, ministri Çeku vlerësoi se organizimi i diskutimeve të tilla paraqet një mundësi të mirë që të diskutohen përgjegjësitë, të adresohen sfidat dhe të krijohet një vizion i përbashkët drejt mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Ai gjithashtu tregoi disa nga programet që tashmë kanë filluar nga Ministria e Kulturës, siç janë sistemi i integruar i menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe planifikimit hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe fondacionin Chwb, gjithashtu plotësimi i ligjit sekondar përkatës në bashkëpunim me KKTK.

Ndërsa Ardian Gola, kryetar i Komisionit parlamentar ka thënë se trashëgimia mbetet ndër pasuritë më të çmueshme të Kosovës që fillon me mbrojtje ligjore dhe është me interes bashkëpunimi ndërinstitucional për të ruajtur identitetin dhe historinë e Kosovës.

Në emër të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, kryetare e Bordit, është shprehur se si rezultat i zhvillimit të shpejtë në vend është shumë e nevojshme që të punohet së bashku në projekte konkrete, që kjo fushë të zhvillohet dhe të ruhet./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme