‘Çfarë lloj kosovari jeni’ sonte solli kosovarët e ndryshëm në Muzeun e Kosovës

28 Mars, 2018 - 10:14 pm

Alberina Haxhijaj

Të rinjtë të cilët morën pjesë sot në diskutimin “Çfarë lloj kosovari je ti?”, u përpoqën që të shuajnë barrierat në mes tyre dhe sidomos të mos bëjnë paragjykime, kjo për të kuptuar më mirë se çfarë lloj i kosovarit janë.

Diskutimi i cili kërkonte përgjigje për pyetjet: kush jemi dhe çka po bëjmë këtu, është organizuar nga Termokissi, Asociacioni i Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Kosovës dhe Taivanit, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës.

Mergimtare Kelmendi nga Termokiss tha se ky diskutim u bë që të zbulohet dhe të jepet një mendim se çfarë në të vërtetë nënkupton të jesh një kosovar.

“Na po dojmë me e ditë kush jemi dhe çka nënkupton, jo vetëm etnia, përkatësitë e ndryshme, por çka do të thotë të jesh kosovar. Kurse sot deshtëm me i testu përshtypjet e para të njerëzve dhe si ndryshojnë ato prej asaj që njerëzit janë në të vërtetë. Edhe gjatë debatit u pa se përshtypjet e njerëzve ndryshonin shumë nga ato që ata ishin në të vërtetë”, tha ajo për KultPlus.

Njëri nga pjesëmarrësit në diskutim, Veton Gorani, e cilësoi këtë aktivitet si të mirë dhe që i ndihmoi për të kuptuar më mirë se çka do të thotë të jesh kosovar.
“Na u dha edhe hapësirë për me fol për vetën tonë, si ndihemi dhe si e identifikojmë veten, pra cili është identiteti jonë. Po ashtu në anën tjetër diskutuam edhe sesi po ndihemi që jemi kosovarë dhe jetojmë në Kosovë, për anët pozitive dhe negative të saj, për perspektivën dhe çfarë mendojmë se na pret në këtë shtet ku jetojmë”, tha ai për KultPlus.

Në anën tjetër Charles Lowe i cili ka një vit e gjysmë që ka ardhur në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara, mori pjesë në këtë diskutim pasi edhe ai ka ndjenjën e të qenit kosovar.

“Kjo ka qenë shumë interesant për mua, kam takuar një grup shumë të mirë dhe sidomos grupin qe vjen nga Termokiss, të cilët mendoj se janë modern dhe kanë ide shumë të mira. Ky aktivitet që përfshiu edhe shtatë pjesë të personalitetit ishte shumë interesant. Kosova është vendi më i ri dhe debate të tilla janë shumë të mira pasi që pikërisht të rinjtë në Kosovë duhet që të reflektojë mbi veten e tyre” tregoi Lowe për KultPlus.

Kjo është vetëm një nga diskutimet dhe punëtoritë të cilat janë duke u mbajtur në kuadër organizimit “Kosovo Future”, kurse në qershor do të hapet edhe një ekspozitë pikërisht në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme