Dalin në dritë muret e Xhamisë së vjetër të Tabakëve në Vlorë

23 Mars, 2019 - 1:20 pm

Punimet për rikualifikimin e qendrës historike në Vlorë kanë zbuluar disa mure, të cilat i përkasin një xhamie të vjetër.

Punonjës të drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Vlorë zbuluan pjesë nga muret e lashta teksa pastronin në themelet pranë xhamisë. Kreu i kësaj drejtorie, Orges Feimi, tha dje se po kryhen verifikimet e duhura për objektin e zbuluar, ndërkohë që punimet janë ndërprerë.

Xhamia, e cila daton që prej shekullit 17, muret e së cilës u zbuluan gjatë punimeve për rikualifikimin e qendrës historike në Vlorë, njihet si Xhamia e Tabakëve, e cila u shemb në 1962.

Ajo përmendet si një nga 7 xhamitë kryesore të Vlorës, në vendin e së cilës, pas shembjes, u ndërtua qendra e dyqaneve me emrin ‘Vetëshërbimi’. Pas saj gjendet Pazari i Vjetër dhe dyqanet e lëkurëpunuesve të Vlorës. Në shekullin XVII është përmendur nga kronikiani i njohur turk, Elvia Celebi. Xhamia e Tabakëve gjendet edhe në materialet historike të viteve 1930 dhe 1950-’60.

Të ngjajshme