Dëshmi e fakte të reja për historinë e kryeqytetit në Mozaikun e Tiranës

21 Shtator, 2021 - 1:29 pm

Vazhdojnë gërmimet në Mozaikun e Tiranës, që sjellin dëshmi e fakte të reja për historinë e kryeqytetit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka inspektuar gërmimet e reja tek mozaiku i Tiranës, ku ka pasur zbulime të reja në hapësirën e vilës romake me mozaik.

Gjithashtu është zgjeruar hapësira e gërmimeve, duke nxjerrë në dritë gjithë gjurmët e vendbanimit.

Zbulimet e reja shtyjnë periudhën e banimit të këtij territori deri ën fund të shekullit të I-rë. Grupi i ekspertëve që po punon në këtë sit arkeologjik shprehet se muret e zbuluara janë mure të shekullit të V-të dhe të VI-të pas erës sonë dhe janë faza e fundit kur kjo zonë është banuar.

Ky sit arkeologjik është edhe një mundësi për studentët të marrin pjesë në një ngjarje për arkeologjinë.

“Të gjithë e njohim si mozaiku i Tiranës, por ai është shumë më shumë se aq. Gërmimet e reja jo vetëm po konturojnë më qartë vilën romake dhe të gjitha hapësirat e saj, por shtyn deri në fund të shek. I datimin e banimit të asaj hapësire”, u shpreh ministrja Margariti gjatë inspektimit.

“Me Olsin dhe Maringlenin (Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë) ishim në territorin ku po gërmojnë bashkë me specialistët edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji, UT, të cilët kanë fatin jo vetëm të specializohen dhe të pajisen me certifikata, por edhe të marrin pjesë një proces me rëndësi për historinë e qytetit”, theksoi ministrja.

“Presim që me përfundimin e gërmimeve dhe dokumentimin e procesit dhe të objekteve, të dalin rezultate mbresëlënëse”, tha ministrja Margariti. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme