Dhërmiu, këtë sezon turistik me shëtitore të re

7 Prill, 2018 - 4:24 pm

Pushuesit vendas e të huaj që do të zgjedhin Dhërmiun këtë sezon turistik, do të gjejnë të përfunduar shëtitoren në këtë fshat me një bukuri madhështore, të bregdetit jonian.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “me një investim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kjo shëtitore do të përfundojë para muajit qershor të këtij viti, në mënyrë që të vihet në dispozicion të pushuesve”.

Sipas tij, ky investim së bashku me projektin për kthimin si fshatra historikë të Dhërmiut dhe Vunoit, si dhe shëtitoren e Jalës, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro.

Goro tha se, kjo shëtitore do ta transformojë plazhin e Dhërmiut në një destinacion akoma më të kërkuar nga turistët.

Shëtitorja do të jetë akoma më shumë atraktive për turistët e huaj, që ende se kanë eksploruar Shqipërinë.

Dhërmiu i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më tepër se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Nga ana administrative, Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës.

Të ngjajshme