займ на карту онлайн потребительский кредит

“Duam bashkim me Shqipërinë”, si nisën protestat kundër Titos më 1968

1 Korrik, 2020 - 2:30 pm

“Tito dhe shokët”, kështu titullohet botimi më i fundit Shtëpisë Botuese “BOTART”, i autorit Jozhe (Jože) Pirjevec, i cili ndërton portretin e një prej udhëheqësve më të fuqishëm komunistë të shek. XX, Josip Broz Tito.

Ky botim sjell këndvështrime të reja për jetën e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar për formimin dhe zhvillimin e një Jugosllavie tjetër. Autori është mbështetur mbi dokumente të cilat ruhen në arkiva personale dhe shtetërore në Lubjanë dhe në kryeqytete të tjera të Republikave të Ish-Jugosllavisë.

Por kërkimi ka vijuar përtej edhe në arkiva të ndryshme në Washington, New York, Moskë, Berlin, Kajro, New Delhi… Autori gjatë kërkimeve arriti të kishte qasje edhe te materialet e arkivave të shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja, si STAS-i dhe KGB-ja, ku mësoi fakte të reja për vendimet e Titos dhe reagimet e shokëve të tij më të afërt në momentet historike kyçe. Për herë të parë libri sjell detaje të panjohura nga përplasjet e forta të udhëheqësit jugosllav me Stalinin, “flirtet” me Çurçillin dhe Presidentin Amerikan, Nikson, si dhe ndihmat ushtarake dhe ekonomike që përfitoi nga SHBA-ja dhe Anglia.Tito-276×350

Roli i Titos në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe në organizimin e rezistencës antifashiste. Përse kishte frikë prej shqiptarëve? Raportet e vështira me Enver Hoxhën dhe infiltrimi i agjentëve nga Shqipëria në Kosovë…

Në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë, në të gjithë Jugosllavinë çështja kombëtare filloi të dalë në plan të parë. Për të treguar se sa keq ishte situata flet fakti se në janarin e vitit 1967, pas shumë vitesh, u mblodh Asambleja e Kombeve brenda Asamblesë Federale, ku ata filluan të diskutojnë amendamentin kushtetues, që në të ardhmen duhet t’i jepte më shumë pushtet.

Me sa duket, Tito dëshironte të krijonte një forum, në të cilin do të zgjidheshin konfliktet ndëretnike, në atë mënyrë që do të mund të mbahej nën kontroll.

Nga libri

Konflikti me bullgarët për Maqedoninë

Qysh në vjeshtën e vitit 1966, FSKP-ja (Fronti Socialist i Klasës Punëtore) dëgjoi përsëri kërkesat e sllovenëve dhe të maqedonasve për më shumë të drejta të gjuhëve të tyre në organet shtetërore. Në fund të ’66-ës dhe në fillim të vitit ’67 pati një mosmarrëveshje të hapur me bullgarët mbi Maqedoninë, e cila fillimisht u zhvillua midis historianëve të të dy kombeve, ku maqedonasit akuzuan fqinjët se po ndjekin një politikë nacionaliste përçarëse ndaj pakicës së tyre në Pirin, dhe nga qeveria në Sofje kërkuan që t’u njihet autonomia kombëtare.

Sidoqoftë, bullgarët nuk donin të dëgjonin asgjë rreth kësaj, ata madje e mohuan ekzistencën e një grupi të veçantë etnik maqedonas dhe thanë se ai ishte vetëm një degë e kombit të tyre. Gjatë dy viteve në vijim polemika u intensifikua dhe arriti tone jashtëzakonisht të mprehta që, me gjithë përpjekjet e herëpashershme për t’u pajtuar, nuk ndaluan deri në vdekjen e Titos.

Për të forcuar identitetin e tyre kombëtar, që nga lufta maqedonasit ishin përpjekur të kishin pas vetes kishën autoqefale, e cila tradicionalisht në botën ortodokse ishte atributi më i rëndësishëm i shtetësisë. Për sa kohë që ishte në pushtet Rankoviqi – pasi ai konsiderohej si mbrojtës i flaktë i kishës ortodokse serbe, e cila përfshinte edhe dioqezën maqedonase – nuk ishte e mundur të plotësoheshin këto dëshira. Vetëm një vit pas rënies së tij, më 18 qershor 1967, maqedonasve iu dha leja nga autoritetet komuniste të shkëputeshin dhe të zgjidhnin patriarkun e tyre.

Megjithatë, kisha ortodokse serbe i rezistoi me forcë, me pretendimin se kjo ishte një goditje shtesë për “idenë jugosllave”, por kësaj radhe ajo dështoi. Sidoqoftë, ajo kurrë nuk e pranoi autoqefalinë e kishës maqedonase dhe as patriarkun ekumenik në Stamboll. Tito e shikonte gjithë shqetësim forcimin e këtij nacionalizmi të flaktë.

Në plenumin e KQ-së të LKJ-së, në shkurt të 1967-ës, ai e bëri të qartë se “ne nuk do të lejojmë përhapjen e parullave përçarëse, të intolerancës kombëtare dhe të shovinizmit, gjë që ndonjëherë ndodh në shkollat tona, si dhe në raste të tjera në jetën publike”.

Përplasjet mes serbëve dhe kroatëve

Megjithatë, për shkak të gjuhës pas një muaji shpërtheu një konflikt midis serbëve dhe kroatëve, i cili bartte një forcë edhe më të madhe përçarëse sesa mosmarrëveshja e kishës serbo-maqedonase. Shkaqet e kësaj grindjeje mund t’i kërkojmë që në vitin 1954, kur përfaqësuesit e dy institucioneve kryesore kulturore, Matica srpska dhe Matica hrvatska, u takuan në Novi Sad, me urdhër të udhëheqjes së partisë, dhe arritën një marrëveshje për të konfirmuar ekzistencën e gjuhës serbo-kroate ose kroato-serbe, si një gjuhë që ka dy variante dialektore, si dhe dy mënyra të shkruari: cirilike (sllavishtja e vjetër) dhe latine.

Sidoqoftë, në vitet në vijim doli që “cirilizmi” serb po zgjerohej gjithnjë e më shumë në hapësirën e gjuhëve të përbashkëta (Serbi, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi), në dëm të “latinizmit” kroat. Fakti që shkrimi latin filloi të zëvendësonte alfabetin cirilik nuk ishte ngushëllim i madh për kroatët.

Ata filluan të thoshin se ishin viktima të tendencave hegjemoniste serbe, të cilat kishin për qëllim shkrirjen e kulturës dhe të gjuhës kroate brenda komunitetit sllav të jugut, të mbizotëruar nga serbët. Me iniciativën e anëtarëve të shquar të Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Arteve në Zagreb u botua Deklarata për emrin dhe pozicionin e gjuhës letrare kroate, natyrisht jo pa bekimin e Bakariqit që përveç përfaqësuesve të tetëmbëdhjetë institucioneve kulturore dhe shkencore, u nënshkrua edhe nga Mirosllav Kërlezha.

Edhe pse pas rënies së Gjillasit ishte si një nga intelektualët kryesorë në rrethin e Titos, në njëfarë mënyre siç ishte Maksim Gorki për Leninin, dhe meqenëse gëzonte një reputacion të lartë, ai padyshim që nuk u konsultua me të në lidhje me Deklaratën. Në deklaratën e përmendur intelektualët më të shquar kroatë propozuan një ndryshim në nenin kushtetues, i cili konfirmoi bashkimin e gjuhëve serbo-kroate dhe kroate-serbe, dhe ndarjen e tyre. Pas kësaj pati një skandal të vërtetë, të cilin Jugosllavia e paraluftës nuk e kishte njohur.

Serbët u përgjigjën gjithë indinjatë, madje duke kërkuar arrestimin e nënshkruesve të deklaratës. (Kjo gjë u parandalua nga Bakariqi, por edhe ai u tërhoq, duke i lënë ata vetëm.) Si përgjigje të kërkesave kroate, shkrimtari i Beogradit, Antonija Isakoviq, së bashku me intelektualët e tjerë botoi një Propozim për reflektim, në të cilin zhvilloi idetë e mëdha serbe ku, mes të tjerash, propozoi që në Kroaci të hapen shkollat për pakicat serbe, ku do të duhej të përdorej alfabeti cirilik.

Natyrisht që akuzuan Kërlezhën, si një “bastion i kroatit madhështor”. Meqenëse ishte e nevojshme që të qetësoheshin “shpirtrat e trazuara”, në marrëveshje me Titon vendosi të largohet nga KQ-ja e LKJ-së, gjë që edhe ndodhi. Në të njëjtën ditë, i telefonoi Tito dhe e ftoi në një darkë në Brione. Shkrimtari, motoja e të cilit ishte “Koka duhet të ruhet”, natyrisht që e pranoi ftesën.

Kryengritja e shqiptarëve

Pas rënies së Rankoviqit serbët nuk patën probleme vetëm me kroatët, por më shumë edhe për shkak të myslimanëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kosovë. Për një kohë të gjatë pas luftës, boshnjakët me origjinë sllave nuk kishin pasur mundësinë që të formoheshin si një bashkësi etnike e pavarur, pasi nga autoritetet atyre u ishte njohur vetëm një identitet fetar.

Vetëm në janarin e vitit 1968 ata u shpallën si një nga popujt përbërës të federatës, ku në Beograd thuhej se me këtë Tito dëshironte të fitonte simpatinë e botës arabe. Serbët e alarmuar ishin të bindur se kjo ishte një lëvizje në prapavijë, për të ulur fuqinë e ortodoksisë në Ballkan, dhe se Tito, së bashku me Kardelin, zbatojnë në mënyrë sistematike idenë e Kominternit për shkatërrimin e Jugosllavisë.

Ky mendim u përforcua edhe më tej nga fakti se pas rënies së Rankoviqit UDBA-ja nuk ushtronte më presion ndaj pakicës shqiptare në Kosovë, por që nuk i kënaqi shqiptarët atje, pasi ata dëshironin të ishin sa më të pavarur nga Beogradi.

Në Prishtinë dhe qytete të tjera të provincës, më 27 nëntor 1968, në prag të Ditës së Flamurit të Skënderbeut, festës kombëtare të Shqipërisë dhe pak para festës kombëtare jugosllave, shpërthyen demonstratat studentore që u shndërruan në një kryengritje të vërtetë popullore, të cilat muajin tjetër u përhapën deri në Maqedoni, në Tetovën fqinje. Protestuesit bërtisnin dhe në duar mbanin pankartat “Duam kushtetutën”, “Rroftë Enver Hoxha!”, “Kërkojmë bashkimin me Shqipërinë”. Kryengritja, e cila mendohej se ishte e organizuar nga Tirana, u shtyp me gjak, e ndjekur nga reforma administrative në favor të “shqiptarëve”, të cilat, të paktën përkohësisht i qetësuan, por nuk i kënaqën. Pjesa tjetër ishin të bindur që ata varen politikisht dhe ekonomikisht nga Beogradi.

Serbët e dinin mirë këtë: “Ne u dhamë atyre kuadro kombëtare, universitetin, flamurin shqiptar, gjuhën – çfarë tjetër duan ata?”, pyesnin vite më vonë. “Shqiptarëve do t’u themi se ne do ta mbrojmë Kosovën me tanke”. Sigurisht që në Serbi dukej hapur thellimi i nacionalizmit, i cili, ndër të tjera, u shfaq edhe gjatë festimeve të Krishtlindjes Ortodokse në vitin 1968, e cila nuk ishte festuar kështu që nga viti 1941.

“Me besimin ortodoks ne konfirmojmë se jemi serbë”, shkroi Dobrica Qosiq, duke theksuar se për shkak të zhgënjimit nga Jugosllavia, ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët po shkojnë pas idesë së një “Serbie të madhe”. Duhet të shpëtojmë nga politikat shoviniste kroate dhe hegjemonia ekonomike sllovene, të cilat po e çojnë Serbinë drejt në varësie koloniale!

Dr. Jozhe (Jože) Pirjevec, i lindur në 1940-ën, e filloi karrierën e tij akademike në vitin 1971 në Universitetin e Pizës, duke vazhduar më vonë në Trieste dhe në Padova. Në vitin 1996 ai u bë shef i Katedrës për Historinë e Kombeve Sllave në Fakultetin e Filologjisë në Trieste. Po në të njëjtin vit u emërua këshilltar shkencor në Qendrën e Kërkimeve Shkencore në Koper të Sllovenisë.

Në vitin 1988 për librin “Tito, Stalini dhe Perëndimi” fitoi çmimin e Fondacionit Kidriç, ndërsa në vitin 2002 për monografinë “Lufta Jugosllave 1991-1999” mori çmimin “Premio Acqui”. Në vitin 2007 mori titullin Ambasador i Shkencave dhe dy vjet më vonë u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë/Panorama / KultPlus.com

Të ngjajshme