“Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër”

26 Shkurt, 2018 - 4:32 pm

Abdyl Frashëri, lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër të Përmetit, në Shqipëri e vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll të Turqisë. Ishte patriot dhe demokrat i shquar, një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit, shkruan KultPlus.

Ai ka lënë një thënie shumë të fuqishme, të shkruar dy shekuj më herët në kohën kur edhe jetoi dhe veproi, por çështja qëndron se sa kanë arritur figurat shqiptare ta vërtetojnë këtë thënie të rilindësit të shquar.

“Do të vijë një ditë kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i lindjes”, ka thënë Abdyl Frashëri.

KultPlus ju sjellë disa figura shqiptare që kanë ngulitur emrin e tyre në skenat ndërkombëtare:

1. Nënë Tereza është një nga figurat më të mëdha botërore sa i përket humanizmit. Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës (e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu; 26 gusht 1910 – 5 shtator 1997) gjithashtu e njohur si Tereza e Bekuar e Kalkutës, Misionare e Bamirësisë,[ ishte një murgeshë katolike dhe misionare shqiptaro-indiane. Ajo lindi në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vdesin nga HIV/AIDS, gërbula dhe tuberkulozi; po ashtu ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.

2. Ismail Kadare (lindur më 1936) përfaqëson një nga shkrimtarët shqiptar që me veprat e tij ka arritur të jetë i pranishëm në shumë vende e gjuhë të botës. Ai cilësohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Ai shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në mbi dyzetepesë gjuhë të botës.
Ai ka fituar shumë çmime deri më tani, kurse për vite të tëra është një nga kandidatët për Çmimin Nobel për Letërsi. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin Princi Asturias për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e çmime të tjera. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Me pëlqimin e tij, duke filluar nga viti 2015, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.
Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmi.

3. Ermal Meta është një zë shqiptar, që gjatë gjithë kohës e ka pohuar faktin që vjen nga Shqipëria. Një vulë e suksesit të tij në muzikë konsiderohet bashkëpunimi i tij i fundit me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente” që i nxorri ata triumfues në garën e të Sanremon 2018.
I lindur në Fier, Shqipëri, Meta u zhvendos në Bari, Italinë e Jugut, në moshën 13 vjeçare, së bashku me familjen e tij. Meta ka debutuar si kitarist i grupit italian Ameba4, që konkurruan në seksionin ‘Të sapoardhurve’ në Festivalin e Muzikës Sanremos 2006 me këngën “Rido … forse mi sbaglio”, përfshirë në albumin e tyre të vetë-titulluar, i cili u publikua në shkurt 2006. Pasi u bë një kompozitor për disa artistë italianë, kurse filloi karrierën e tij solo, duke nxjerrë dy albume në studio: Umano (2016) dhe Vietato morire (2017).
Në vitin 2007 Meta u bë këngëtari kryesor dhe kompozitori kryesor i grupit La Fame di Camilla. Albumi i tyre debutues, i titulluar thjesht La Fame di Camilla, u publikua nga Universal Music në vitin 2009. Grupi më pas solli edhe albume Buio e luce, duke përfshirë titullin të cilat konkurruan në seksionin e Festivalit të Sanremos Music 2010, dhe L’attesa (2012) të sapoardhurit. Grupi u nda në vitin 2013.

4. Ermonela Jaho është po ashtu një soprano shqiptare që ka performua në shumë opera të botës duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera e Marsejës, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice,Teatri Capitoul de Toulouse, etj.
Ajo u lind në Tiranë, në vitin 1974. U largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skenë, përkrah artistëve të huaj. Ajo filloi mësimet e saj të të kënduarit kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Pas përfundimit të studimeve në shkollën artistike “Jordan Misja” në Tiranë ajo fitoi një konkurs që i mundësoi largimin e saj në Itali për të përfunduar studimet në Akademinë “Santa Cecilia” në Romë. Pas përfundimit të studimeve për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme, të tilla si: Giacomo Puçini në Milano Itali më 1997, Spontini International Ancona, Itali më 1998, në Rovereto Zandonai, Itali më 1999, këngëtarja më e mirë e Festivalit Wexford më 2000.

5. Rita Ora është një emër tjetër nga Kosova, që po le gjurmë në muzikën botërore me hitet e saj. Ajo është këngëtare dhe aktore nga Kosova, që është shpërngulur në moshën 1 vjeçare për në Britani të madhe. Ajo i ka sjellë disa hite botërore si “Hot Right Now”, “R.I.P” dhe së fundmi po kryeson top listat botërore me këngët e saj “Anywhere” dhe “For You”. Ajo ka qenë e nominuar në shumë festivale ndërkombëtare, ndërsa ka arritur t’i marr disa çmime si BMI Pop Awards, China Music Awards, Glamour Awards, MTV Music Awards e të tjera.
Po ashtu Rita Ora, asnjëherë nuk e ka mohuar vendlindjen e saj Kosovën. Kujtojmë se vite më parë Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e dekoroi atë si Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës në botë.

6. Dua Lipa është një nga emrat më të rinj në këtë listë, por që ka arritur të depërtoj me shpejtësi të jashtëzakonshme në industrinë e muzikës në botë. Ajo javën e kaluar rrëmbeu dy trofte nga “Brit Awards 2018”, si këngëtarja më e mirë dhe këngëtarja më e mirë debutuese. Dua Lipa (lindur më 22 gusht 1995) është një këngëtare tekstshkruese, dhe modele shqiptare, që jeton dhe vepron në Londër, Angli. Karriera e saj muzikore filloi në moshën 14 vjeçare, kur filloi të publikonte cover të këngëtarëve dhe artistëve të tjerë në YouTube. Në vitin 2015, ajo u nënshkroi me Warner Music Group dhe së shpejti lansoi këngën e saj të parë. Vitin e kaluar solli albumin e saj të parë “Dua Lipa”, kurse me këngën e saj “New Rules”, ajo u shpall si këngëtarja më e dëgjuar e vitit në Spotify./ KultPlus.com

Të ngjajshme