Fillon hartimi i projektit për prezantimin, interpretimin dhe promovimin e Lokalitetit Arkeologjik në qendër të Prizrenit

17 Maj, 2022 - 5:45 pm

Ky projekt i Ministrisë së Kulturës realizohet në bashkëpunim me UN-Habitat Kosovë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar gjatë vitit 2021 dhe synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

Në procesin e hartimit të projektit do të përfshihen banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët.

Përmes prezantimit, interpretimit dhe promovimit të Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synojmë që të ngritet vetëdija për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojmë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor.

Procesi i hartimit të projektit është duke u zhvilluar nga një grup punues i përbërë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Departamenti për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit.

Në kuadër të inicimit të këtij projekti, grupi punues ka arritur të analizojë dhe diskutojë punën dhe propozimet paraprake, hulumtojë kornizën ligjore dhe dokumentet përkatëse të nivelit qendror dhe lokal, hulumtoj kornizën dhe parimet ndërkombëtare, analizojë gjendjen ekzistuese të hapësirës, përparësitë, mangësitë, rreziqet dhe mundësitë, si dhe të përcaktojë zonën që do të konservohet dhe ekspozohet si pjesë e dizajnit të këtij lokaliteti.

Projekti financohet nga Ministria e Kulturës dhe mbështetet nga UN Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme