Filluan punët restauruese në kompleksin banues të familjes Xhjeshylmedine

3 Maj, 2018 - 1:30 pm

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren fillon së implementuari projektet e parapara për vitin 2018 për ndërhyrjet emergjente në monumentet e rëndësishme shumë shekullore të Prizrenit.

Një ndër monumentet të përzgjedhura për masa shpëtimtare është edhe Kompleksi banues i familjes Xhejshylmedine. Ky aset i rëndësishëm arkitekturor dhe kulturor për qytetin e Prizrenit është pjesë e historisë sonë, e cila ruhet akoma me zellshmëri nga banorët e kompleksit.

Këto komplekse, u ndërtuan kryesisht në periudhën osmane, respektivisht gjatë shekujve XVIII-XIX dhe paraqitnin rëndësinë dhe shkallën e diferencimit shoqërorë, me të cilin kuptojmë që familja kishte një pozitë të lartë shoqërore, ekonomike dhe politike.

Kompleksi përbëhet nga këto grupe ndërtesash si: shtëpia për banim, Selamllëku, Mutfaku me Ahur, Oborri dhe Nyja sanitare ku godina e shtëpisë shërbente për banim të familjes, Selamllëku për mikëpritje dhe pranim e miqëve, Mutfaku për ruajtjen dhe përgatitjen e ushqimit, Ahuri për ruajtjen e bagëtisë dhe kuajve, si dhe oborri zëvendësonte hapësirat gjelbëruese të qytetit. Enterieri dhe eksterieri i objektit është mjaft i ruajtur, me elemente origjinale të kohës dhe dëshmon mënyrën e organizimit të jetës sociale-kulturore dhe arsimore të shoqërisë sonë.

Sot ndeshemi shumë rrallë me këto asete historike, herë të braktisura, e herë të transformuara, apo edhe tërësisht të shkatërruara, prandaj konsiderojmë që Kompleksi i familjes Xhejshylmedine paraqet vlera të larta artistike, historike, shoqërore, ekonomike, rariteti, dhe duhet ruajtur për breza të ardhshme.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren do të angazhohet për ruajtjen, restaurimin dhe konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të regjionit të Prizrenit. Edhe këtë vit janë përzgjedhur objektet më të rrezikuara dhe do të vazhdohet me ndërhyrje emergjente për ruajtjen e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme