Françesko Krispi, kryeministri i parë arbëresh i Italisë: Jam shqiptar me gjak dhe zemër

4 Tetor, 2021 - 4:27 pm

Më 4 tetor 1818, në Ribera, Sicili, Itali, lindi Françesko Krispi, kryeministri parë i Italisë me origjinë arbëreshe.

Konsiderohet si njëri nga arkitektët e bashkimit të Italisë në vitin 1860. Në banketin që shtroi me 25 tetor 1887 në Torino, Françesco Krispi foli për të drejtat e popujve dhe theksoi nevojën për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë, pa derdhur gjak, duke thënë se: Shqipëria nuk është sllave; është një komb që ka një personalitet të vetin, që ka gjuhë e zakone të vetat, kujtesë e origjinës pellazgjike. Shqipëria ka në vetvete të gjitha elementet për një shtet pavarur, më mirë se sa i kishte Serbia dhe Bullgaria – dhe duke i lejuar të njëjtën vetë-qeverisje, Evropa do të bënte një vepër qytetare. Në një telegram të vitit 1895 për çështjen shqiptare, Françesko Krispi tha për origjinën e tij se ai ishte “një shqiptar me gjak dhe zemër” dhe një italo-shqiptar nga Sicilia.

Në 1861 kandidoi për ekstremin e majtë në Palermo, por humbet. Megjithatë ai arrin të fitojë një vend në kuvend si përfaqësues i komunës Castelvetrano. Në këto votime u mbështet nga një mik i ngushtë sicilian, republikani Vincenzo Favara.

Krispi fitoi emërimin si anëtari më agresiv dhe më i apasionuar i partisë republikane. Por, në 1864 ai deklaroi se ishte monarkist me citatin e njohur “Monarkia na bashkoi, Republika na ndau”, të cilin e gjejmë edhe në korrespondencën që kishte me Mazzinin.

Në 1866 refuzon të bëhet pjesë e qeverisë Ricasoli. Pas shpalljes së luftës franko-prusiane në 1870 u vu kundër aleancës së mundshme në mes të Italisë dhe Francës.

Pas ardhjes të së majtës në pushtet në nëntor 1876, emërohet President i Dhomës. Në 1887, rikthehet si ministër i brendshëm në qeverinë e Agostino Depretisit dhe mbrenda vitit e zëvendëson si kryeministër, pas vdekjes se Depretisit. Në 1889, miraton kodin penal të ri të Giussepe Zanardellit që solli shumë ndryshime të rëndësishme, si lirinë e shoqatave dhe të grevës për herë të parë në Evropë si dhe heqjen e dënimit me vdekje. Në lëmin ekonomik adoptoi një politikë proteksioniste duke vendosur taksa mbi prodhimet komerciale në doganë. Përparime u bënë edhe në industri, sidomos në atë të rëndën si metalurgjia e cila nuk ekzistonte aspak në Itali.

Në 1891 Krispi largohet nga qeveria e Rudinit por pas rënies të qeverisë Giolitti nga skandali i Bankës Romana, emërohet sërish kryeministër. Këtë herë qeveria e tij sa vjen e bëhet më shumë konservator edhe autoritare, duke shtypur me dhunë revoltat e punëtorëve si dhe shkrirjen e Partisë Socialiste në 1894.

Në këtë kohë pati si sekretar personal shkrimtarin dhe diplomatin milanez Carlo Dosi.

U largua nga skena politike pas dështimit në Adua në 1896. Dalja e fundit publike është në Romë katër vjet më vonë, gjatë funeralit të mbretit Umberto I. Vdes në Napoli më 12 gusht 1901 gati tetëdhjetë vjeçar. / KultPlus.com

Të ngjajshme