Kalaja e Libohovës, atraksion edhe gjatë mbrëmjes

17 Dhjetor, 2023 - 11:30 am

Kalaja e Libohovës, Monument Kulture i kategorisë së parë ofron tashmë një pamje të re pas ndriçimit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thekson se “për festat e ndriçuam edhe të bukurën Kala të Libohovës, ose siç quhet ndryshe Kalaja e Shanishasë, duke marrë emrin e motrës së Ali Pashait, i cili ia bëri dhuratë për martesën me pinjollin e familjes Libohova”.

Ky është një ndër projektet prioritare të bashkisë Libohovë me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së qytetit dhe promovimit të turizmit në zonë.

Projekti përfshiu instalimin e ndriçimit të jashtëm në muret e saj. Ky ndriçim i jep një pamje të bukur dhe tërheqëse për turistët që vizitojnë Kalanë historike të Libohovës.

Punimet u kryen nga Agjencia e Shërbimeve dhe Mirëmbajtjes dhe pritet të përfundojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Me ndriçimin e realizuar kalaja e Libohovës do të jetë një atraksion turistik dhe pritet që turizmi në zonë të rritet e të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit.

Kalaja e Libohovës u ndërtua në vitet 1796–1798, pra i përket fundshekullit të 18-të. Ali Pashë Tepelena urdhëroi ndërtimin e saj, për t’ia dhuruar më pas motrës së tij, Shanisha, e martuar në Libohovë.

Ajo është e pozicionuar në një pikë dominuese mbi qytetin e sotëm të Libohovës dhe dikur kontrollonte gjithë luginën e Drinos. Brenda kalasë, që sot është e zbrazët, dikur ndodhej rezidenca feudale.

Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër këndet e saj dhe është një fortesë me përmasa të konsiderueshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme