Funari, surpriza e pazbuluar e turizmit malor (VIDEO)

29 Korrik, 2018 - 9:00 am

E pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastër dhe një natyrë thuajse të pashkelur, Funari është një nga bukuritë më të mëdha të bashkisë së Elbasanit, por edhe të vendit. Infrastruktura rrugore e vështirë ka bërë që kjo zonë të mos frekuentohet masivisht, edhe pse ndodhet 20 km larg Elbasanit.

Por, tashmë, me promovimin e zonës dhe rregullimet infrastrukturore, Funari mbetet surpriza e pazbuluar ende e turizmit malor në Shqipëri.

Për promovimin e kësaj zone dhe kthimin e saj në destinacion turistik, Bashkia Elbasan ka organizuar një festë e cila pritet të kthehet në traditë, ndërkohë që një projekt i Bashkisë synon ta lidhë Funarin drejtpërdrejt me Tiranën përmes një aksi rrugor që kalon mes fshatrave dhe ndikon në rigjallërimin e tyre.

E ndodhur vetëm 20 km nga Elbasani dhe 25 km nga Tirana, pakkush e njeh këtë mrekulli të natyrës. E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.

Por përveç bukurive natyrore, Funari na flet edhe me gjuhën e lashtësisë. Në vitin 1967 kur u hap rruga për në këtë zonë, gërrmimet nxorrën në dritë rrasa pllakash që mbulonin varre të ndërtuar me mur guri. Në to gjendeshin skelete që nuk u dëmtuan plotësisht. Ato i përkasin një periudhe shumë të lashtë, mbase parapellazgjike.

Në malin e Bixëlles, shtrirë mbi një shkëmb, është një fushë e vogël prej 2 ha, që nga vendasit quhet qytezë. Sipas shpjegimeve të fjalorit “qyteza”është qendër e vogël banimi mes mureve të një Kështjelle.

Shpella e Hasmit gjithashtu ofron bukuri të rralla për t‘u vizituar./ ata

Të ngjajshme