Gërmime në sitin arkeologjik ku ndodhen 400 varre nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit: Tuma ilire e Kamenicës

15 Korrik, 2025 - 4:00 pm

Një grup arkeologësh dhe filologësh nga Austria i janë drejtuar sitit ku gjenden mbi 400 varre që datojnë nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit si dhe objekte, stoli, armë dhe vegla që tregojnë shumë për jetën, zakonet, strukturat shoqërore dhe besimet e popullsisë ilire.

Për arkeologun Olsi Lafe, i cili ka qenë pjesë e gërmimeve në vitin 2000, Tuma Ilire e Kamenicës ka rëndësi të jashtëzakonshme nga pikëpamja arkeologjike dhe antropologjike.

Një grup vizitorësh nga Austria, të përfshirë kryesisht në fushën e arsimit dhe arkeologjisë, kanë zhvilluar një tur kulturor në Shqipëri, duke vizituar Tiranën, Shkodrën dhe disa site arkeologjike me rëndësi historike. Ata janë shprehur të impresionuar nga pasuria arkeologjike dhe prezantimi profesional i trashëgimisë kulturore shqiptare. Një pjesë e tyre janë mësues nga Vjena, të interesuar për arkeologjinë e Ballkanit, pasi kanë studentë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, dhe e konsiderojnë të vlefshme këtë eksperiencë për të kuptuar më mirë prejardhjen e tyre. Një vizitor tjetër, i specializuar në arkeologjinë nënujore dhe punonjës në universitetin e Salzburgut, ka vlerësuar rëndësinë unike të Tumës Ilire të Kamenicës dhe lidhjen e saj të veçantë me vendndodhjen gjeografike. Në përgjithësi, ata e kanë cilësuar Shqipërinë si një vend shumë interesant me potencial të madh arkeologjik. Vizitorët austriakë e kanë vlerësuar Tumën Ilire të Kamenicës si një destinacion me rëndësi të veçantë dhe vlera të jashtëzakonshme kulturore.

Tuma e Kamenicës, e vendosur vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës, përbën një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. E njohur për përmasat e saj mbresëlënëse dhe për ruajtjen e jashtëzakonshme të strukturës, ajo konsiderohet si një nga tumat më të mëdha të periudhës ilire.

Kjo pasuri arkeologjike është shumë më tepër sesa një varrezë prehistorike, ajo është një dëshmi autentike e vazhdimësisë kulturore, sociale dhe shpirtërore të ilirëve. Përveç vlerës shkencore dhe historike, ajo përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në rajon, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve të rëndësishme për trashëgiminë iliro-ballkanike.

Të ngjajshme