Gjirokastra, nga një thesar i braktisur, në një hapësirë të trashëgimisë kulturore që tërheq turistë

21 Gusht, 2020 - 3:10 pm

Investimet në kuadër të Rilindjes Urbane kanë transformuar qendrën historike të Gjirokastrës, ku ndër të tjera mjediset tregtare apo shtëpitë tradicionale janë kthyer në bujtina mikpritëse për turistët.

Kryeministri Edi Rama solli sot disa foto nga transformimi i Gjirokastrës, e cila sipas tij, “nga një thesar i braktisur po kthehet në një hapësirë të trashëgimisë kulturore, që tërheq turistë vendas, duke krijuar ekonomi e punësim”.

“Mirëmëngjes dhe me një prej plot shembujve të shpëtimit, restaurimit dhe transformimit të Gjirokastrës, e cila po kthehet hap pas hapi, nga një thesar i braktisur në një hapësirë të trashëgimisë kulturore, që tërheq turistë vendas, duke krijuar ekonomi e punësim, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Qendra Historike e Gjirokastrës, shpallur në vitin 2005 trashëgimi botërore e UNESCO-s, u kthye në një kantier punimesh restauruese, duke nisur me rikualifikimin e kalldrëmeve karakteristike të Qafës së Pazarit, rehabilitimin e 6 shesheve që lidhen në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit, ndriçimin publik, përmirësimin e hapësirave të gjelbra deri te rrapi 100 vjeçar, simboli që ka shërbyer si pikë takimi për banorët që në vitet ’30.

Po ashtu u realizua restaurimi i kalldrëmeve ekzistuese, ku ruhet tipologjia midis gurëve të bardhë dhe gurëve gri, ndërsa në të njëjtën valë transformimi janë përfshirë edhe shtëpitë e vjetra karakteristike, si dhe bizneset buzë rrugicave.

Pjesë e projektit rehabilitues është edhe xhamia e famshme e Pazarit, e cila edhe pse monument kulture nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje restauruese. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme