Gjuha shqipe do të mësohet zyrtarisht në Macerata të Italisë

14 Prill, 2019 - 8:00 pm

Gjuha shqipe tashmë do të mësohet zyrtarisht në shkollat publike në Macerata të Italisë, shkruan albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Arsimit për Kosovë, Shyqiri Bytyqi, i cili është takuar me mësuesit shqiptarë në Macerata të Italisë, me rastin e festës vjetore që organizohet nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali.

“Pa dyshim, lajmi më i mirë që u dha në këtë organizim ishte që nga ky vit mësimi i gjuhës shqipe do të organizohet edhe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata, lajm të cilin e dha drejtori i shkollës “Enrico Fermi”, z. Ermanno Bracalente, që pastaj edhe zyrtarisht e konfirmoi edhe nënkryetarja e qytetit, znj. Monteverde në një fjalë rast”, ka njoftuar Bytyqi, përcjell albinfo.ch.

Në vazhdën e takimeve, ministri Bytyqi është takuar edhe me me rektorin e Universitetit të Camerinos në Itali, Claudio Pettenari, me të cilën është dakorduar të nënshkruajë një marrëveshje, përmes së cilës do të fitojnë bursa dhjetë studentë nga Kosova.

“Ky universitet shtetëror me 7 shekuj histori, i themeluar në vitin 1336, do të ndajë 10 bursa për studentët nga Kosova, ku 5 do të jenë për studime bazike dhe 5 të tjera për studime master, kryesisht në shkenca ekzakte”, ka njoftuar Bytyqi, përcjell albinfo.ch.

Bytyqi po ashtu është takuar edhe me profesorin dhe piktorin arbëresh, Silvio Craia (Kraja).

Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe zv.ministri i Diasporës për Kosovë, Afrim Bekteshi./ KultPlus.com

Të ngjajshme