Haradinaj, Clintonit: Mirë se erdhe në shtëpinë tënde

11 Qershor, 2019 - 5:53 pm

Me nderime shtetërore është pritur sot në Kosovë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nderuar ish-presidentin amerikan me medaljen Urdhri i Lirisë në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, transmeton kp. 

Clintoni me këtë rast tha se e gjitha bota duhet të shohë Kosovën si vend të demokracisë.

“E gjithë bota sot, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, i përkushtuar të përmirësohet e të rritet dhe të jetojnë në paqe me fqinjët, që është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet tjera”, tha Clinton.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ish-Presidentin amerikan, Bill Clinton.

Clinton po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se Clintoni është kthyer në shtëpinë e tij dhe se për shqiptarët është njeriu më i dashur.

Postimi i Haradinajt:

Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosshmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj.

Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën!

Të ngjajshme