Haradinaj: Masakra e Dubravës, një nga krimet më monstruoze për të cilin askush s’u gjykua

21 Maj, 2019 - 1:16 pm

Sot është 20 vjetori i masakrës së Dubravës me ç’rast forcat serbe kanë vrarë 160 të burgosur dhe kanë plagosur 200 prej tyre.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar këtë masakër si më të egrën kundër njerëzve.

Haradinaj nëpërmjet një statusi në Facebook ka thënë se është e dhimbshme që edhe pas 20 vjetësh askush nuk është gjykuar në lidhje me këtë masakër.

“Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme. Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit tha se mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do që të ballafaqohet me krimet e veta.

“Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë”, potencoi kryeministri Haradinaj.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në shënimin e 20 vjetorit të masakrës së kryer nga shteti serb në Burgun e Dubravës. / KultPlus.com

Të ngjajshme