Haradinaj për Vasfije Krasniqin: E përgëzoj këtë grua të guximshme që foli për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë

16 Tetor, 2018 - 11:28 pm

Vasfije Krasniqi, një prej grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, e tregoi sonte rrëfimin e saj para botës.

Me lot në sy, Krasniqi ka rrëfyer se si u dhunua nga serbët.

Këtë rrëfim prekës e ka ndjekur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili më pas edhe ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka shprehur dhimbjen për këtë ngjarje, por edhe ka përgëzuar këtë grua për guximin e saj.

“Pasi e dëgjova me vëmendje rrëfimin sa prekës aq edhe inkurajues të Vasfije Krasniqit, e përgëzoj këtë grua të guximshme që ka vendosur të flas hapur për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë. Guximi i saj le të jetë udhërrëfyes për viktimat e shumta të dhunës seksuale gjatë luftës, që të ngritën mbi dhimbjen dhe me dëshmitë e tyre të dokumentojnë krimin, që të ngadhënjejë drejtësia. Së bashku, duke inkurajuar viktimat dhe familjet e tyre, do të heqim stigmatizimin që ka rënduar kaq vite mbi to.”, ka shkruar Haradinaj.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka marrë guximin që të rrëfehet publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, për vetëm një arsye: inkurajimin e grave të tjera që kanë përjetuar të njëjtën gjë sikurse ajo.

Rrëfimi i paralajmëruar i Krasniqi-Goodman është i pari i dhënë ndonjëherë publikisht në një televizion nga një grua e dhunuar seksualisht gjatë luftës së Kosovës.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.

Për vendimin e Vasfije Krasniqi-Goodman është deklaruar sot edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook është shprehur se “momente të tilla janë prekëse” dhe se shembulli i Vasfijës “është tregim i shpresës dhe guximit”.

Rreth 700 gra të dhunuara gjatë luftës janë verifikuar nga Komisioni Shtetëror për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale. Ndërkaq, ky status i është refuzuar 103 grave të cilat dyshohet se kanë aplikuar në mënyrë të rrejshme. /KultPlus.com

Të ngjajshme