Haradinaj: Presidenti Rugova krijoi një doktrinë të një shtetit paqësor

21 Janar, 2019 - 10:44 am

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 13 vjetorin e vdekjes së tij.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se sot, së bashku me kolegët e kabinetit qeveritar, kanë shkuar në nderim të veprës dhe jetës së ish-Presidentit Rugova, por njëkohësisht me respektin për traditën e të gjitha ato që institucionet e vendit i vazhdojnë për të mirën e qytetarëve, për të mirën e vendit.

Duke folur për rolin e ish-Presidentit Rugova në shtetndërtimin  e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se historia do ta definojë në tërësi rolin e tij, por theksoi se është vërtetë një doktrinë e një shteti paqësor të cilën ai e ka krijuar.

“Vepra e jeta e tij lidhet me një Kosovë paqësore për të gjithë”, vlerësoi kryeministri Haradinaj.

Fotografitë e këtij homazhi, kryeministri i ka shpërndarë edhe në Facebook me mbishkrimin: Rugova, me rreshtimin përkrah Perëndimit dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në, rideshmoi fuqinë e ideve demokratike shqiptare në shtetkrijim. Në përvjetorin e 13-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Kosova idealin e tij dhe të shumë brezave e ka kurorëzuar përmes unifikimit, që u manifestua me krijimin e ushtrisë sonë. Ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit tani janë në rresht me ushtritë e paqes, nën flamurin e Republikës së Kosovës. Pusho i qetë, President! /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme