Hardh Fest mbyll edicionin më të suksesshëm në histori

9 Shtator, 2022 - 5:30 pm

Me një numër prej mbi 100.000 vizitorëve për tre ditë e tre net sa ka zgjatur festivali, Hardh Fest sivjet shënon edicionin më të suksesshëm, me programin e pasur vreshtar, verëtar e të trashëgimisë kulturore dhe artistike që ishte përgatitur për vitin 2022.

Pjesëmarrja e vizitorëve në Hardh Fest sivjet ishte dukshëm më e lartë se gjatë viteve të kaluara, si me pjesëmarrje në aktivitetet e shumta unike dhe rekreative ditore të festivalit, po ashtu edhe në koncertet e tri netëve që sollën emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore.

Vlen të përmendet edhe numri i rritur i pjesëmarrësve nga shtete e rajonit dhe Evropa në edicionin e këtij viti. Turistë të huaj iu bashkëngjitën në disa raste aktiviteteve të ditës dhe u bënë pjesë e dhjetëra mijëra vizitorëve që morën pjesë në koncerte.

Pjesë e këtij suksesi janë të gjithë ata që kontribuuan, morën pjesë në aktivitetet ditore, që vizituan panairin e prodhimeve të verës, rakisë e rrushit në lokacionin e festivalit dhe ata që iu kënaqën tingujve të Pop & Rok me artistë të nivelit botëror si Kip Winger.

Organizatorët janë të kënaqur me të gjithë rrjedhën e ngjarjeve për tre ditët e kaluara dhe falënderojnë secilin vizitor e pjesëmarrës në aktivitete si dhe institucionet, përkatësisht Komunën e Rahovecit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, partnerin StoneCastle, sponsorin gjeneral Banka per Biznes dhe të gjithë sponsorët e tjerë për mbështetjen e madhe në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për vendin.

Hardh Fest është një festival autentik që shkas organizimi merr festën e vjeljes së rrushit, duke promovuar kulturën e vreshtarisë dhe në përgjithësi bujqësinë lokale të Rahovecit, përmes artit dhe trashëgimisë kulturore.

Nga tani ka nisur puna për një tjetër edicion në 2023. / KultPlus.com

Të ngjajshme