Hashim Thaçi i jep Medalje Presidenciale emisionit ‘Fiks Fare’

28 Shkurt, 2019 - 4:08 pm

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nderoi me “Medaljen Presidenciale të Meritave” emisionin investigativ “Fiks Fare”.

“Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Medalja Presidenciale e Meritave i jepet programit të gazetarisë hulumtuese ‘Fiks Fare’, për kontributin e dhënë në denoncimin e dukurive negative dhe për promovimin e lirisë së shprehjes”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi pati një takim me autorin dhe dy moderatorët e emisionit “Fiks Fare”, në zyrën e tij në Kosovë. Gjatë këtij takimi, presidenti Thaçi shprehu vlerësimin e tij për ndihmesën e emisionit “Fiks Fare” në luftën kundër korrupsionit dhe zgjidhjen e shumë problemeve për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Autori i këtij emisioni, Filip Çakuli u shpreh i surprizuar nga vlerësimi dhe nga përdorimi i gjuhës shqipe në motivacionin e kësaj medaljeje, shkruan BallkaniInfo.

“Kjo ishte një e papritur, meqenëse termat e propozimit dhe të medaljes është gazetari hulumtuese, ne e përdorim në Shqipëri termin investigative. Meqenëse jemi, nuk them surprizë, por po them e papritur e këndshme, që na vë më shumë detyrim të kthejmë sytë nga Kosova për problemet dhe hallet e saj. Por, ndonjëherë nuk të lënë këmborët që bien në Tiranë, të dëgjosh zilet që bien në Prishtinë. Kështu që jemi të detyruar, megjithatë, do ta korrigjojmë së shpejti. Kjo na detyron më shumë. Shumë falemnderit”, tha Filip Çakuli.

Të ngjajshme