Historia e emigrantit të kthyer në Përmet, investoi në një nga godinat e vjetra duke e shndërruar në një pikë turistike

23 Mars, 2021 - 10:00 am

Nëse Përmeti s’do të kishte marrë vëmendjen e duhur këto vite me investime konkrete që krijuan një perspektivë të qartë turistike për qytetin, që siç thonë i ka të gjitha përveç detit, me siguri nuk do të kishim as këtë hapësirë fantastike në zemër të zonës historike.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut të Gjirokastrës Bledi Çuçi, teksa ka sjellë shembullin e Arbër Goga, i cili pasi u kthye nga emigrimi investoi në qytetin e Përmetit.

““Villa Përmet” është një shembull domethënës për ata që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme më të mirë, një histori frymëzuese për shqiptarët jashtë vendit që mendojnë të kthehen dhe të investojnë në vendlindje. Një histori frymëzuese për qytetin që vit pas viti është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik në jug të vendit. Bravo Arbër”, – shprehet Çuçi.

“Historia ime është si historia e shumë shqiptarëve të tjerë, të cilët kanë emigruar dhe pas një kohë në emigrim kanë vendosur të kthehen në vendlindjen e tyre. Pasi mora vendimin tim për t’u kthyer në Shqipëri ftova për të kaluar pushimet mikun tim Denis. Pas disa ditësh pushimesh dhe një turi në Shqipëri vumë re se sektori turistik kishte nevojë për zhvillim, potenciali ishte shumë i lartë mbi të gjitha në lagjen më të vjetër të Përmetit”, – thekson Goga.

Më tej Goga u shpreh se “duke restauruar një nga godinat më të vjetra dhe duke qenë shtëpia e dytë më e madhe në Përmet i dhamë një jetë të dytë ku të gjithë mund të vijnë të pushojnë një natë apo të kalojnë një fundjavë”.

“Pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, të shpresojmë që edhe të rinj të tjerë të kenë dëshirën të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Do isha shumë i kënaqur nëse në zonën e vjetër të Përmetit të lindin edhe realitete të tjera që të jetë një kartëvizitë për të huajt se çfarë është Shqipëria në realitet”, – tha Goga./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme