Itinerari “Rrugët e besimit”, destinacione të reja turistike

18 Korrik, 2018 - 9:26 am

”Në periudhën janar-qershor 2018 kemi rritje me 50% më shumë të vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo pasi këtë vit jemi përpjekur të realizohemi ndryshe me paketa të plota kulturore dhe me itinerare, ku një ndër to është ”Rrugët e besimit”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë një interviste televizive.

“Rrugët e besimit” është një itinerar që ka të bëjë me destinacione objektet e kultit, qoftë këto të kultit islam, ortodoks apo katolik. Këto objekte kulti nuk duhet thjesht t’i shohim se i kemi, por dhe t’i mirëmbajmë. Numri i objekteve të kultit të restauruara në këto katër vitet e fundit, ka nxjerrë në pah vlera të cilat harresa, rrënimi, koha dhe mosmirëmbajtja i kishte fshehur”, – tha ministrja.

Ajo shtoi se në itineraret “Rrugët e besimit” në Korçë janë kishat e Voskopojës, në të cilat janë shtatë kisha ku katër prej tyre, kanë mbaruar restaurimin e plotë.

Gjithashtu dhe restaurimi i përfunduar i qendrës historike të Voskopojës përbën një itinerar më vete.

Kumbaro tha se “këto itinerare vijnë për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me institucionet fetare, ku kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me kishën orthodhokse dhe me këto itinerare kemi bërë një paketë promovimi shumë të rëndësishme”.

“Gjithashtu kemi dhe gjashtë xhami të cilat janë në restaurim, duke përfshirë dhe xhaminë e Et’hem Beut, e cila dhe pse akoma është në kantier është kthyer në një objekt kureshtje për turistët, pasi është një ndër xhamitë më të jashtëzakonshme që ne kemi përsa i përket artit pamor që ka brenda. Do ketë një restaurim të gjatë kjo xhami, ku kemi parashikuar rreth 600 ditë restaurimi sepse për herë të parë ndërhyhet në thellësi që nga themelet deri tek detajet”, – vijoi Kumbaro.

“Kemi gjithashtu itinerare të tjera të ‘Rrugëve të besimit’ ku kemi tre xhami në Berat, xhaminë e Gjirokastrës, xhaminë e Gjin Aleksit në Delvinë dhe gjithashtu po përgatitemi për zbatimin e projektit të xhamisë së Plumbit në Shkodër. Paralelisht janë kishat në Përmet, kisha e Bënjës, kisha e Kosinës, ka mbaruar kisha e Shën Mërisë në Pogon. Gjithashtu përfundoi kisha e famshme e Dhërmiut e cila i rikthehet jo vetëm vizitorëve, por i rikthehet dhe turistëve”, – u shpreh ajo.

Ministria e Kulturës ka të hapura deri tani rreth 30 kantiere restaurimi në të gjithë vendin, nga muzeu i Sinës në Dibër, deri në kishën e Peshkopisë, duke mos harruar restaurimin e Memorialit të Skënderbeut i cili do të përfundojë brenda vitit të Skënderbeut. Gjithashtu, po restaurohet Shtëpia e vëllezërve Frashëri në Përmet.

Një ndër destinacionet e kultit tashmë të mbaruara janë kisha e Mesopotamit dhe kisha e Labovës së Kryqit, që është një ndër destinacionet e preferuara të vizitorëve.

“Këto objekte kulti, pra destinacione turistike, ne ua ofrojmë turistëve në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit me anë të programit ‘Smile Albania’ në të cilin bëjnë pjesë qindra grupe vullnetare të shpërndarë në të gjithë vendin, ku me anë të fletëve me informacionin e duhur dhe me anë të rrjeteve sociale bëhet i mundur informacioni për këto destinacione turistike”, – përfundoi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. /a.g/

Të ngjajshme