Kalaja e Bashtovës, shumë shpejt destinacion i trashëgimisë kulturore

12 Janar, 2023 - 11:34 am


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi se Kalaja unike e Bashtovës, shumë shpejt do të kthehet në destinacionin më të kërkuar të trashëgimisë kulturore. “Ajo tashmë po i nënshtrohet restaurimit falë programit të ringritjes pas tërmetit”, shkroi Margariti në rrjetet sociale.

Kalaja e Bashtovës është një kështjellë mesjetare katërkëndore, e pozicionuar aty ku lumi Shkumbin derdhet në Adriatik. Kalaja ngrihet në terren të sheshtë, pranë rrugës Egnatia. Historianët janë të ndarë sa i përket faktit se cilës periudhë i përket ndërtimi i kalasë. Disa pretendojnë se është ndërtuar në periudhën kur vendi ishte nën pushtetin e Venedikut ndërsa të tjerë thonë se venedikasit ndërtuan mbi rrënojat e një kalaje ekzistuese, e cila mund të ketë qenë e shekullit të gjashtë, kur zona ishte nën Perandorinë Bizantine, gjatë dinastisë së Justinianit.

Struktura ka 3 hyrje, me mure 9 metra të lartë që rrethojnë një hapësirë 60 x 90metra. Në veri dhe në lindje ka kulla rrethore, secila prej tyre 12 metra e lartë. E veçanta e kësaj Kalaje qëndron tek fakti se është e vetmja në Ballkan, që është ndërtuar në fushë.

Kalaja e Bashtovës do të restaurohet me mbështetjen e programit EU4Culture të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

Të ngjajshme