Kalaja e Beratit, atraksion i përhershëm turistik

21 Shtator, 2020 - 12:45 pm

Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum tërhoqi sërish një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë 2020.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “që prej janarit deri tani kalaja e Beratit u vizitua nga 16.700 vizitorëve nga të cilët 3532 ishin të huaj”.

“Janë shifra goxha më të ulëta në krahasim me vitet e tjera, por gjithsesi në krahasim me sitet e trashëgimisë dhe kalatë e tjera, kalaja e Beratit ka pasur një frekuentim më të madh”, – tha Kallfani.

Sipas tij, në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme