Kavajë, Kulla e Sahatit 200 vjeçare kthim në identitet

1 Nëntor, 2018 - 3:39 pm

Kulla e Sahatit në Kavajë e cila është një nga monumentet kulturorë më të vjetër me moshë rreth 200 vjet, tashmë ka një pamje të rijetëzuar duke u shndërruar në një objekt të denjë për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ky rijetëzim i një prej objekteve më dominues të qytetit të Kavajës u bë i mundur nga projekti i restaurimit i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe financuar nga TIKA.

Kulla e Sahatit u ndërtua gjatë shek XIX , në sheshin e pazarit në pjesën mbi kodër në pikën më të lartë të qytetit që të dominonte jo vetëm pazarin por edhe të gjithë qytetin. Kulla përbën një ansambël pasi ajo rrethohet nga xhamia dhe në pjesën e poshtme nga pazari i vjetër.

Ajo është e punuar me gurë shtufe dhe e shoqëruar me gdhendje. Në pjesën brenda saj ndodhen një palë shkallë prej druri, kurse në pjesën e sipërme të saj është e vendosur dhe një orë diellore që më parë ka funksionuar e shoqëruar me tingullin e kambanës.

Kulla shquhet për vlerat arkitektonike dhe dekoracionin ornamentik që krijojnë gurët e bardhë me ato jeshil. Ka marrë statusin e mbrojtjes kategoria e I më datë 17.03.1948./A.T.SH/ KultPlus.com

Të ngjajshme