Kisha e Shën Kollit në Kurjan, atraksioni më i ri turistik

10 Mars, 2019 - 3:30 pm

Kisha e Shën Kollit në fshatin Kurjan, Roskovec, e ndërtuar në shekullin XIII, në stilin bizantin, është atraksioni më i ri turistik, me restaurimin e saj pas 50 vitesh lënie në harresë. E favorizuar edhe nga peizazhi i mrekullueshëm i natyrës përreth, kisha po merr vëmendjen e vizitorëve.

Kryeministri Edi Rama vizitoi Kishën e Shën Kollit, restaurimi i së cilës është fryt i bashkëpunimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe bashkisë Roskovec.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se projekti për restaurimin e kishës nuk është mjaftuar vetëm me ndërhyrjet në konstruksionin e kishës, por edhe me rivitalizimin e mjedisit përreth. “Nukjemi ndalur  vetëm tek pjesa  e restaurimit të kishës, por ajo që është shtuar janë gjithë restaurimet e jashtme, që është pikërisht formula të cilën duam ta kthejmë në  një formulë suksesi në të gjithë jetësimet e kishave në të gjithë fshatrat, sepse nuk mund të ndalemi vetëm tek restaurimi e konstruksioni i çative, i pjesëve emergjente, por, nëse nuk kanë gjithë këtë pjesë rreth e rrotull, nuk do të jenë totalisht potenciale turistike kulturore. Ka ende akoma për të bërë me sinjalistika apo me ndërhyrje të tjera informuese për turistët, por ka patur një zhvillim shumë të mirë edhe me këto ndalesa, stolat, pjesët panoramike. Faktikisht këtu jemi në zonat më të bukura përsa i përket panoramës dhe pozicioni i kishës në majë të kodrës favorizon akoma më tepër edhe llojin e turizmit natyror.”

Kryetarja e bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi, tha se e gjithë zona ku është pozicionuar kisha është transformuar falë këtij investimi. “Këtu më parë nuk ka ekzistuar asgjë nga këto që shikoni tani. Ka qenë një pjesë e kodrës, rrugë dheu. Është bërë gjithë ndërhyrja, ndriçimi që është funksional, sistemimi i shkallëve, pjesa rreth e rrotull kishës dhe punimet e brendshme dhe në muraturë, janë pjesë speciale. Ka një efekt shumë pozitiv edhe për vetë banorët, por edhe për ata që vijnë nga jashtë.”

Kisha e Shën Kollit ka vlera të rralla arkitektonike dhe kulturore. Pikturat murale në brendësi të kishës janë vepra të ikonografit Nikolla, i biri i Onufrit, të cilat do të restaurohen tërësisht në një fazë të dytë të projektit. 

“Është kishë bizantine e shekullit XIII. Forma e saj më parë ka qenë në formë kryqi e mbuluar me kupolë. Kupola është shembur ndër vite. Afër këtu kemi dhe një nga degëzimet e pjesës jugore të rrugës Egnatia dhe faktikisht është një vlerë e shtuar për të gjithë itinerarin e “Rrugës së besimit”. Të gjitha kishat e Myzeqesë janë të famshme, pasi kanë të integruara në trupin e  tyre pjesë të pllakateve dekorative paleokristiane, të cilat janë të marra nga gërmime arkeologjike dhe në zonën përreth. Të  gjithë ndërhyrjet janë fokusuar në rikthimin e identitetit të kishës. Në fazën e dytë kemi gati projektin për restaurimin e afreskeve. Vlera e shtuar e kishës janë afresket e 1578-s. Janë afreske të ikonografit Nikolla, i biri i Onufrit, që së bashku me Joanin kanë realizuar të gjitha afresket e kishës, të cilat kanë ende nevojë për restaurimin që do të zhvillohet në fazën e dytë të saj,” – shpjegoi ministrja Margariti.

Në rivitalizmin e mjedisit përreth janë ruajtur edhe elementet e natyrës, siç është simbolika e ullirit duke integruar më së miri, pjesën e peizazhit, kulturës dhe historisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme