Kishat e Voskopojës, mbi 900 vizitorë dy muajt e parë të vitit

12 Mars, 2019 - 3:30 pm

Në Voskopojë, gjatë dy muajve të parë të vitit 2019, sipas statistikave të raportuara nga specialistët e DRKK, numri i vizitorëve në guidën e 5 kishave ka shkuar mbi 900 vizitorë.

Vizitorët e huaj janë mahnitur nga arkitektura dhe historia që mbartin këto kisha duke shijuar një rrugëtim mes historisë dhe kultit.

Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës Ballkanike dhe Europiane.

E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.

Voskopoja gjithashtu ruan dhe potencialin e saj turistik. Fshati, i cili ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore, po tërheq përherë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Përveç të huajve, fshatit nuk i mungojnë as pushuesit nga kryeqyteti apo qyteteve të tjera të Shqipërisë, gjithashtu të pandarë janë qytetarët e Korçës./A.T.SH/ KultPlus.com

Të ngjajshme