Komuniteti dhe shteti bëhen bashkë për të shpëtuar kishën e fshatit Niçë

4 Korrik, 2022 - 2:46 pm

Rikthim sërish tek kisha e “Shën Marisë”, pasuri kulturore shumë e rëndësishme në zonë dhe në qarkun e Korçës. Me këto fjalë, kreu i DRTK Korçë, Gjergji Koki, ka njoftuar nisjen e restaurimit të kishës së fshatit Niçë.

Ndërhyrja e shpëtimit të kishës së “Shën Marisë”, është bërë e mundur falë ndihmës financiare të familjeve me origjinë nga kjo zonë dhe Shoqatës Kulturore Nica Vllahe.

Kjo ndërhyrje shpëtimi konsiston në restaurimin e këmbanares dhe çatisë të nartekstit, të cilat rrezikonin shembjen.

Ekipi i DRTK Korçë po qëndron prej ditësh në një terren të vështirë dhe jo lehtësisht të aksesueshëm, për të realizuar këtë ndërhyrje të rëndësishme.

Një falënderim për kontributin financiar të komunitetit, punën e palodhur të ekipit të DRTK Korçë si dhe mbështetjen e Bashkisë Pogradec për këtë nismë shpëtimi, ka bërë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja shkruan “kënaqësi kur komuniteti dhe shteti bëhen bashkë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore. Trashëgimia është e të gjithëve”.

Kisha e “Shën Marisë” në Niçë është një objekt kulti i rrallë, i ndërtuar në vitin 1749 mbi gurthemelin shekullor të një kishe të hershme. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme